Bosnje, Republika Serbe vë në lëvizje njësitë paraushtarake

schedule20:41 - 12 Mars, 2018

schedule 20:41 - 12 Mars, 2018

Autoritetet e sigurisë në Bosnje e Hercegovinë kanë shprehur shqetësimin për lëvizjet e fundit të Republikës Serbe, që ka angazhuar njësitë nacionaliste paraushtarake. Për Sarajevën, kjo është një përpjekje e pastër për cënimin e zgjedhjeve të Tetorit.

Autoritetet në Sarajevë kanë ngritur shqetësimin se Republika Serbe e Bosnjes po planifikon destabilizimin e vendit, përmes angazhimit të njësive paraushtarake dhe armatosjes së policisë së entitetit të saj. Ministri për Sigurinë Kombëtare, Dragan Mektiç, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters” ka akuzuar lidershipin serb se po rrit retorikën nacionaliste, në përpjekje për të cënuar votuesit dhe kundërshtarët politikë të zgjedhjeve të tetorit të ardhshëm.

“Politikat e tyre janë shumë shqetësuese. Ka një ndjesi në rritje pasigurie dhe e gjitha kjo e bën situatën e rendit më komplekse”, ka thënë Mektiç. Mektiç, anëtar i bllokut të serbëve të moderuar, ka deklaruar gjithashtu se grupe të rinjsh serbë po i nënshtrohen stërvitjeve ushtarake në Rusi, pikërisht për të destabilizuar vendin.

“Këto janë përpjekje për të manipuluar zgjedhjet, përmes organizimit të grupeve speciale që ushtrojnë presion fizik ndaj qytetarëve, në mënyrë që ata të ndihen të frikësuar dhe të mos dalin për të votuar”, ka thënë Mektiç. Ministri i bazon shqetësimet e tij tek ngjarjet e janarit të kaluar, kur një anëtarët e një grupi serb të së djathtës ekstreme parakaluan të armatosur deri në dhëmbë në kryeqendrën serbe Banja Llukë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!