Nga Erblina Mile
Borxhi publik në Shqipëri gjatë vitit që lamë pas rezulton se është 80.1%.Kjo është shifra më e lartë e raportuar zyrtarisht nga ministria e financave në kuadrin makro-ekonomik 2023-2025 deri më sot.
Niveli i borxhit publik ka qenë gjithmonë një shqetësim për ekonominë shqiptare por niveli i fundit rezulton më i larti ndër vite. Qeveria justifikohet se kjo ka ardhur e nxitur nga dy kriza tërmeti dhe pandemia.
Në muajt e fundit të vitit të kaluar qeveria mori një Eurobond prej 650 mln eurosh e cila ndikon në rritjen e mëtejshme të borxheve të qeverisë shqiptare.Institucionet ndërkombëtare financiare si Banka Botërore dhe FMN kanë ngritur alarmin se rritja e borxhit publik do të ndikoj në uljen e investimeve në vend dhe të shërbimeve që iu nevojiten qytetarëve.
Por përtej rritjes së borxhit ecuria ekonomike duket se do të mbetet e ngadaltë në tre vitet e ardhshme. Pas recesionit të fortë prej -4 për qind në vitin 2020, ekonomia ka nisur të rimëkëmbet në vitin 2021, ku është parashikuar se do arrij një normë prej 8.7 përqind por në 2022 kjo shifër parashikohet të përgjysmohet duke kapur vlerën 4.1 për qind në vitin 2022 dhe parashikohet mesatarisht rreth 4 për qind në vit përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2023–2025.
Konsumi dhe investimet do të jenë dy faktorët kryesorë që do të ndikojnë në rritjen ekonomike në vend.
Po ashtu në kuadrin makroekonomik parashikohet që Ekonomia shqiptare do vijojë të ruajë të njëjtën linjë rritjeje referuar sektorëve specifikë, edhe për tre vitet e ardhshme.
Konkretisht, peshën më të madhe do të vijojnë ta mbajnë shërbimet, me një rritje mesatare vjetore prej rreth 4.7 për qind dhe një kontribut, ndjekur nga industria, ndërtimi dhe bujqësia
Një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë siç është bujqësia rezulton se do të jetë me ecuri të ngadaltë.