Brenda 10 viteve tarifat e ujit në vend parashikohet të pësojnë një rritje me 75%. Aktualisht shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve janë kthyer në një barrë për buxhetin e shtetit i cili financon borxhet e krijuara.
Nisur nga kjo qeveria ka hartuar një strategji për periudhën 2020-2030 ku parashikohet që rritja e tarifave të përmirësojë situatën financiare të shoqërive duke ulur mbështetjen nga buxheti.
Në strategji thuhet se çmimi i ujit mbetet i përballueshëm nga qytetarët të cilët shpenzojnë 2.2 % e të ardhurave për një familje me nivel mesatar dhe rreth 3% të ardhurave për familjet me të ardhura të ulëta. Ndërkohë që përmirësimi i shërbimit cilësohet një sfidë e vërtetë që duhet të adresohet. Pavarësisht nga objektivi i përcaktuar në Strategjinë Kombëtare të mëparshme për një shërbim rreth 20 orë/ditë, ky tregues i performancës rezulton të jetë i pandryshuar që nga viti 2013.
Aktualisht në Shqipëri vetëm 7 shoqëri mund të ofrojnë më shumë se 20 orë ujë në ditë gjatë gjithë vitit. Ndërsa gjysma e shoqërive Ujësjellës-Kanalizimeve raportojnë më pak se 12 orë/ditë furnizim me ujë. Problematike vlerësohet edhe gjendja e infrastrukturës në sektorin e ujit që është e vjetër si dhe mungon mirëmbajtja e duhur. Shumica e rrjetit shpërndarës të shoqërive rezulton i ndërtuar para 60 vitesh dhe si rezultat, vlera e tij aktuale është shumë më e ulët sesa kostoja e zëvendësimit./abcnews.al