Vija më e gjatë bregdetare në detin Jon me më shumë se 7 km ndodhet në Borsh.
Fshati turistik në jug të vendit prej vitesh ka ndërtuar identitetin e tij turistik, atë të pushimeve familjare.Përgjithësisht i dominuar nga shtëpitë e pushimit, si struktura akomoduese gjatë dekadës së fundit i janë shtuar edhe hotelet.
Pushuesit shqiptarë kryesisht kryeqytetas janë të parët që i dhanë hov turizmit në Borsh e deri sot mbeten më fanatikët e bregdetit të qetë.
I bekuar me natyrën, det e mal së bashku, subjektet turistike në Borsh kanë ditur të ruajnë balancën, çmimet e arsyeshme, ushqimet tradicionale, ambientet e përshtatshme për femijë e siguri ujore larg skafeve dhe jet skive në breg.
Ata që vijnë çdo vit në Borsh nuk mjaftohen vetëm me detin, por kanë gjetur edhe pika të tjera turistike per të eksploruar.
Përshtypjet e mira për Borshin shkojnë nga një familje në tjetrën. Ky pushues ka udhëtuar nga Kosova së bashku me bashkëshorten, pasi miqtë i sugjeruan fshatin turistik.
Modernizimi i strukturave turistike në vitet e fundit ka bërë që Borshi të mirëpresë edhe pushues të huaj, familjarë apo të rinj. Në Borsh këtë verë takon turistë nga e gjithë Europa.
Ky sezon ka nisur me kembë të mbarë për fshatin bregdetar. Muaji qershor është dominuar nga shqiptarët , ndërsa të huajit dominojnë në korrik dhe gusht ku rezervimet shkojnë në 70% të kapaciteteve të akomodimit.
Për pushime me familjen apo me miqtë në Borsh mund të bësh pushime me çfarëdo buxheti. Kombinimi i bizneseve të vogla familjare me struktura të mirëfillta turistike, e ka kthyer fshatin turistik në një alternativë ku çdo pushues mund të organizojë pushimet e tij verore./abcnews.al