Borrell “thellësisht i shqetësuar” nga tensionet në Bosnjë

schedule16:25 - 20 Shkurt, 2022

schedule 16:25 - 20 Shkurt, 2022

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian tha të dielën se është thellësisht i shqetësuar për tensionet në Bosnje dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve që të shmangin shpërbërjen e atij vendi.

“Situata në Bosnje është më shqetësuese se kurrë,” tha Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, në konferencën vjetore të sigurisë në Mynih.

Muajin e kaluar, administrata e presidentit Biden njoftoi për sanksione të reja kundër udhëheqësit serb të Bosnjës Milorad Dodik, i cili prej vitesh ka bërë thirrje që pjesa e Bosnjës e drejtuar nga serbët të shkëputet nga pjesa tjetër e vendit dhe të bashkohet me Serbinë.

SHBA e akuzoi atë për “aktivitete korrupsioni” që kërcënojnë të destabilizojnë rajonin dhe minojnë marrëveshjet e Dejtonit.

“Mund t’ju siguroj se, në kontakt të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, unë dhe Sekretari i Shtetit (Anthony) Blinken kemi dërguar një paralajmërim shumë serioz. Ne nuk do të pranojmë shpërbërjen e Bosnje- Hercegovinës,” tha zoti Borrell.

Ai tha se kishte qenë në kontakt me zotin Dodik për t’i kujtuar “detyrimin e tij për të marrë pjesë në institucionet e përbashkëta” të vendit.

Marrëveshja e Paqes e Dejtonit i dha fund luftës në Bosnje, e cila shkaktoi vdekjen e mbi 100,000 vetëve dhe la miliona të pastrehë në masakrën më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Marrëveshja krijoi dy njësi të veçanta qeverisëse në Bosnje – njëra e drejtuar nga serbët e Bosnjës dhe tjetra e mbizotëruar nga boshnjakët

Zoti Dodik thotë se ai dhe serbët e Bosnjës po vihen padrejtësisht në shënjestër nga Shtetet e Bashkuara dhe pa të drejtë për korrupsion./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!