Do të jetë “jashtëzakonisht e vështirë” për Bashkimin Europian të “ruajë një marrëdhënie besimi me Kinën” nëse Pekini nuk ndihmon në gjetjen e një zgjidhjeje politike për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, tha shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell.
“Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, nëse jo e pamundur, për Bashkimin Europian të ketë besim tek Kina, nëse Kina nuk kontribuon në gjetjen e një zgjidhjeje politike bazuar në tërheqjen e trupave rusë nga territori ukrainas, “tha Borrell.
Kryediplomati i BE-së duhej të shtynte një udhëtim në Kinë këtë javë pasi ai rezultoi pozitiv me koronavirus, sipas një postimi në Tëitter.
“Neutraliteti përballë shkeljes së ligjit ndërkombëtar nuk është i besueshëm. Ne nuk i kërkojmë askujt të përputhet me pozicionin tonë.
Thjesht kërkojmë të pranojmë se në këtë rast ka pasur një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Borrell i bëri thirrje gjithashtu presidentit kinez Xi Jinping që të flasë me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe “të ofrojë ndihmë më të konsiderueshme humanitare për popullin ukrainas”.
Borrell tha se marrëdhëniet midis BE-së dhe Kinës “janë përkeqësuar vitet e fundit për shkak të një numri në rritje të irrituesve”, në veçanti pozicioni i Kinës për luftën në Ukrainë dhe sanksionet e BE-së kundër zyrtarëve kinezë për ndalimin dhe persekutimin masiv të ujgurëve në Xinjiang.
/abcnews.al