Kryediplomati i BE, Josep Borrell, deklaroi ditën e hënë se Bashkimi Eruopian do të diskutojë nisjen e një operacioni trajnimi për forcat ushtarake ukrainase janë vendet fqinje.
Borrell tha para gazetarëve se propozimi është vendosur të “diskutohet politikisht” javën e ardhshme kur ministrat e mbrojtjes të BE-së të mblidhen për një takim jozyrtar në Pragë.
“Duket e arsyeshme që një luftë që zgjat dhe duket se do të zgjasë kërkon përpjekje jo vetëm për sa i përket furnizimeve me material, por edhe trajnim dhe ndihmë për organizimin e ushtrisë”, tha Borrell.
Ai, megjithatë, nuk hyri në detaje se çfarë mund të sjellë misioni në praktikë.
“Shpresoj se do të miratohet”, tha ai, duke shtuar se “sigurisht, do të ishte një mision i madh”.
I pyetur se ku do të kryhet trajnimi i forcave ukrainase, Borrell tha se “nuk do të jetë në Ukrainë, por në vendet fqinje që tashmë kanë misione stërvitore”, duke përmendur Poloninë, Republikën Çeke, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.
“Kur ne ofrojmë armë, këto janë mjaft të sofistikuara dhe duhet të përdoren – dhe për t’u përdorur, ato kërkojnë një trajnim mjaft të rëndësishëm,” tha ai, duke shtuar: “Por ne nuk do ta bëjmë këtë në territorin ukrainas”.
Qysh në vjeshtën e kaluar, BE-ja u raportua se po shqyrtonte një program trajnimi të pavarur të quajtur Misioni Këshillues dhe Trajnues Ushtarak i BE-së në Ukrainë (EUATM).
Sipas burimeve të BE-së, ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes ukrainas kërkuan programin e trajnimit në një letër drejtuar Borrelit verën e kaluar dhe shërbimi diplomatik i BE-së kishte hartuar disa opsione.
Një mbështetje e tillë ishte imagjinuar të përfshinte opsione që varionin nga rritja e asistencës financiare deri te reforma e sektorit të sigurisë civile dhe trajnimi në terren, por në rastin më të mirë do të kishte përfshirë vetëm disa dhjetëra zyrtarë, thanë burimet e BE.
Në shkurt, pak para se Rusia të pushtonte Ukrainën, ministrat e BE-së kishin arritur një marrëveshje paraprake për të kryer një mision të tillë trajnimi ushtarak në vend, por përparimi që atëherë është penguar nga pengesat në terren.
Që nga dita e pushtimit në shkallë të plotë më 24 shkurt, në atë që është quajtur një ‘moment ujëmbledhës’ për politikën e saj të mbrojtjes, BE-ja ka mobilizuar 2.5 miliardë euro për të financuar dërgimin e pajisjeve ushtarake në Ukrainë nëpërmjet Facilitetit Evropian të Paqes të bllokut.