I konsideruar si një nga shpërndarësit më të fuqishëm të kokainës në Sarandë, pas vitesh të tëra ndjekjeje, më në fund ka rënë në pranga 49-vjeçari Altin Arapi, alias Altin Demiri, i njohur me pseudonimin “Boraqi”. Edhe pse në këtë operacion nuk janë kapur bashkëpunëtorë direktë të tij, burime thonë se prej vitesh ai është skeduar së bashku me të paktën dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve i arrestuar më parë.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se policia prej vitesh e ka pasur në mbikëqyrje, por e ka pasur shumë të vështirë ta vendosë në pranga Arapin, pasi, sipas të njëjtave burime, shpesh ka pasur dyshime se ai kishte informacion dhe përkrahje nga bashkëpunëtorë të ngushtë brenda strukturave policore dhe ishte një hap para çdo operacioni. Madje, një operacion i dështuar ndaj tij konsiderohet ai i 20 janarit 2022, kur policia tentoi ta arrestonte me sasi droge, por nuk i gjeti asgjë dhe kreu një arrestim të sforcuar për kundërshtim të forcave të policisë, pasi gjatë tentativës për ta kontrolluar, bëri rezistencë duke thyer edhe celularin e tij.
Më pas, emri i tij është përfolur në ngjarjen e majit 2025, kur një e mitur 15-vjeçare shkoi e intoksikuar me 5 gramë kokainë në Spitalin e Sarandës. Një ndër personat e marrë në pyetje për këtë çështje ishte edhe Altin Arapi.
Të vetmen herë kur Altin Arapi është arrestuar nga policia nën posedim lëndësh narkotike ka qenë rreth 8 vite më parë, kur, së bashku me dy persona të tjerë nga Saranda, u kap në Tiranë me një sasi të vogël kokaine dhe qëndroi për disa muaj në burg.
Ndërkohë, një tjetër ngjarje kur është përfolur emri i tij ka ndodhur në janar të vitit 2021, kur policia kreu një shoqërim blic në Delvinë dhe mori në pyetje një shtetas, pasi kishte siguruar informacion se do të konfliktohej me Altin Arapin dhe, për këtë, mori masa parandaluese.
Të arrestuarit e tjerë me precedentë
Me precedentë penalë rezultojnë edhe disa të arrestuar të tjerë në kuadër të operacionit “Vjeshta”, të zhvilluar në Sarandë.
Feliks Filija, 27 vjeç, i njohur si shoku i Elvis Çaushllarit, alias Vis Korçari, i arrestuar në vitin 2020 në Elbasan për “vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, dhe “armëmbajtje pa leje”.
Medi Myftaraj, 35 vjeç, arrestuar në shtator 2017 në Skrapar, pasi rezultonte i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg nga Gjykata e Vlorës për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe gjatë kontrollit të banesës, në momentin e kapjes, iu gjetën 0.5 kg “cannabis sativa”. Ndërsa, në mars 2023, është arrestuar në Ksamil me një sasi lënde narkotike “cannabis sativa”.
Fabjo Berhamaj, 30 vjeç, ekstraduar nga Gjermania në 2016, pasi rezultonte i dënuar nga Gjykata e Fierit me 7 vjet burg për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Me precedentë edhe në Sarandë për “kalim të paligjshëm të kufirit”.
Devis Saliaj, 22 vjeç, plagosur me thikë më 6 qershor 2025 në vendin e quajtur “Ekualipsi” në Sarandë. Arrestuar në shtator 2023 në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, në kuadër të një grupi që shpërndante “cannabis sativa” dhe “kokainë”. Arrestuar sërish në Tiranë në dhjetor 2025.
Erjon Dido, 41 vjeç, i njohur me pseudonimin “Macistja”, arrestuar në tetor 2018 në Sarandë me një sasi lënde narkotike “cannabis sativa”, proceduar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” në dhjetor 2024, në kuadër të një grupi.
Dhimitër Terolli, 33 vjeç, i njohur me pseudonimin “Miçp Evgjiti”, rezulton përdorues i lëndëve të forta narkotike. Terolli është arrestuar disa herë nga policia, kryesisht për “vjedhje” dhe, në një rast, për “plagosje të lehtë me dashje”, ku i dëmtuar ka qenë një tjetër përdorues droge.
Nazif Refitaj, 24 vjeç, i arrestuar në vitin 2021 në Patos për “vjedhje e kryer në bashkëpunim”./abcnews.al

