Bonusi i pranverës për pensionistët/ Ekspertja: Politikë vazhdimësie e qeverisë, janë rritur të ardhurat

schedule14:34 - 23 Dhjetor, 2024

schedule 14:34 - 23 Dhjetor, 2024

SHQIPËRIA– Qeveria shqiptare vijon t’i ketë në vëmendje pensionistët, të cilët pas përfitimit të bonusit të fundvitit, në pranverën e vitit 2025 do përfitojnë sërish një bonus të dytë.

Konkretisht, të gjithë pensionistët që marrin një pension deri në 20 mijë lekë do të përfitojnë 100 euro bonus, ndërsa pjesa tjetër, që e kalon këtë prag do të përfitojnë nga 50 euro.

Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, e ftuar në “Money Report” tha se kjo qasje është vijim i politikës mbështetëse, që qeveria ka për këtë shtresë sociale.

“Do them se në këtë raste kemi të bëjmë me një politikë vazhdimësie të qeverisë, janë premtime që janë bërë nga qeveria. Në aspektin ekonomik ka të bëjë me një të ardhur që ka ardhur duke u rritur, por nga anën tjetër është dhe pjesë se nuk janë realizuar disa shpenzime.  Nga ana tjetër është pjesa politiko-sociale dhe kjo e ndihmon këtë shtresë përmes një bonusi “, tha ajo.

Ajo këmbëngul tek skema e pensioneve, që sipas Nunaj ka ardhur koha të rishikohet e të merren veprime të mirëstudiuara. Ajo theksoi se kjo nuk është e lehtë pasi efektet e vendimmarrjes do jenë prezentë për 30 vitet në vazhdim.

“Duhet rishikuar skema e pensioneve. Kjo u jep mundësi për një rritje reale pensioneve dhe jo një indeksim. Duhet të identifikojmë se ku jemi sot, cilat janë mundësitë dhe pastaj të ndërmarrim një veprim. Një vendimmarrje sot për skemën e pensioneve jep efekte për 30 vitet e ardhshme dhe nuk është e lehtë”, tha Nunaj.

Ajo theksoi se përgjatë vitit të ardhshëm Shqipëria duhet të punojë për shtimin e prodhimit të produkteve apo shërbimeve, që mbajnë etiketën “Made in Albania”.

Kjo shtoi Nunaj do të rrisë mirëqenien dhe përmirëson kushtet socio-ekonomike të bizneseve dhe qytetarëve.

“Të synojmë të rrisim më tepër produktet “Made in Albania”, tha ajo./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!