Bonot dhe obligacionet, eksperti shpjegon rëndësinë e tyre: Investime me risk të ulët, rregullat që duhet të ndiqen për të nxitur tregun

schedule14:42 - 22 Maj, 2023

schedule 14:42 - 22 Maj, 2023

Interesi i qytetarëve për të investuar në bono dhe obligacione është rritur ndjeshëm në tre mujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave të AMP, blerjet e individëve në intrumentat e borxhit të qeverisë në bono dhe obligacione arritën mbi 15 miliardë lekë, me një rritje gati 68 % më shumë se një vit më parë.

Për këtë çështje foli edhe eksperti i ekonomisë Elvin Meka në “Sheshi i Dollarit”. Ai shpjegoi se bonot dhe obligacionet janë investime financiare, në të cilat mund të investojë kushdo. Bonot e thesarit janë investime afatshkurtra që zgjasin deri në një vit, pra me afat 3, 6 muaj dhe mund të zgjasin deri në një vit.

Ndërsa obligacionet janë afatgjatë dhe zgjasin nga 2 vjet, 5, 7, 10 deri në 15 vjet. Këto instrumenta kanë specifikë që emetohen nga qeveria dhe përfaqësojnë një nga investimet më rrezikun më të ulët në treg. Për t’u bërë pjesë e ankandave, qytetarët mund të shkojnë pranë sporteleve të bankave.

Eksperti shtoi se së shpejti do të rihapet sporteli i bonove të thesarit në Bankën e Shqipërisë duke u rikrijuar edhe njëherë mundësinë individëve për të marrë pjesë në ankandeve të thesarit.

Cilat janë avantazhet e këtyre formave me risk të ulët?

“Përveç faktit që gëzon këtë lloj elementi sigurie që ka të bëjë me një rrezik të vogël shumë afër zeros që ka të bëjë me moskthimin mbrasht të borxhit, këtoi instrumenta karakterizohen nga një normë e kënaqshme kthimi. Nëse një person vendos të investojë në bono thesari, është i sigurtë që do të marrë një kthim më të lartë në çdo lloj investimi tjetër. Nëse dikush mund të ketë 100 mijë lekë të reja dhe vendos t’i investojë në bono thesari për një 1 vit, kthimi që do të marrë është më i lartë në rastin e bonove të thesarit. Nga ana tjetër për investimet më afatgjata, kthimi është edhe më i lartë jo vetëm si normë interesi por këto lloj obligacionesh kanë afate më të gjata se sa depozitat. Nëse në banka gjejmë shumë rrallë depozita me afat mbi 2 vjet, për oblikacionet kemi 5, 7, 10 dhe 15 vjeçare.“, tha eksperti.

Një tjetër aspekt tjetër pozitiv për obligacionet është se interesi paguhet dy herë në vit ndërsa për depozitat bankare me afat paguhet njëherë në vit. Duke folur për mundësinë e zhvillimit të këtij tregu, eksperti shtoi se është e rëndësishme që të hapet tregu pasi është tepër i monopolizuar.

Ai shtoi se duhet të “thyhet” monopoli i bankave dhe të hapet tregu për të pasur konkurrencë.

“Duhet të hapet tregu. Nuk duhet të mbetet një monopol i thjeshtë i bankave. I takon AMP-së që të marrë masat ligjore dhe rregullatore, edhe me suportin e Bankës, të hapë tregun dhe ta bëjë atë më konkurrues. Të lehtësojë barrierat e hyrjes edhe për institucionet e tjera jo banka, të cilat duke qenë se kanë një model biznesi ndryshe nga bankat dhe kriteret rregullatore më të ndryshme e kanë më të thjeshtë që të angazhohen në kosto më të ulëta në tregun sekondar për shitblerjen e këtyre instrumentave”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!