“Të kaltërit” e teknikut Luciano Spalleti do të presi, mbrëmjen e 17 nëntorit, në mitikun e Romës, “Stadio Olimpico”, përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, në përballjen e parafundit, të vlefshme për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, me 4 herë kampionët e Botës, që nuk kërkojnë asgjë më pak se fitorja, për t’iu afruar kualifikimit në fazën e grupeve.
Mirëpo, për “bomberin” maqedonas, Bojan Miovski, i cili aktivizohet në kampionatin skocez të futbollit, me skuadrën e Aberdeen, ndaj ballkanasve do të jetë shumë e vështirë fitorja, teksa paralajmëron italianët se do të japin maksimumin e tyre në “Olimpico”.
“Është gjithmonë bukur kur luajmë kundër Kombëtareve më të mira. Ndeshjet e ardhshme kundër Italisë dhe Anglisë do të na mundësojnë të kuptojmë se në çfarë niveli jemi. Nuk kemi presion dhe në ndeshjet e fundit kemi arritur rezultate të shkëlqyera kundër Italisë.
Ne do të bëjmë lojën tonë, thjesht duhet të presim mundësitë tona në kundërsulm. Është normale që ata të kenë më shumë kontrollin e topit dhe të lojës, por ne do të përpiqemi t’i befasojmë”,- u shpreh “bomberi” i Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq, kujtojmë se Kombëtarja maqedonase e la Italinë, në marsin e vitit 2022 jashtë Botërorit të Katarit, duke i eleminuar në fazën e “play-off”, ndërsa tani është sërish një rrezik serioz për “të kaltërit” e teknikut Spalleti, të cilët ndodhen në vendin e 3-të të grupit me 10 pikë, 3 më pak se Ukraina e vendit të 2-të, ndërsa Anglia ka siguruar biletën, si “koka” e grupit për në fazën finale të kompeticionit. /i.m /abcnews.al