Bombë në kufirin e Irlandës së Veriut

schedule21:45 - 19 Gusht, 2019

schedule 21:45 - 19 Gusht, 2019

Një bombë ka shpërthyer të hënën në kufirin e Irlandës së Veriut. Ndonëse nuk kanë prova konkrete, autoritetet vendase dyshojnë se atentati ka lidhje me daljen e Britanisë nga BE-ja dhe çështjen e kufirit irlandez. Ndërkohë, dyshimet bien mbi dy lëvizje nacionaliste irlandeze, vazhduese të grupit famëkeq IRA.

Një pajisje me eksploziv shpërtheu të hënën në Irlandën e Veriut, në afërsi të kufirit me Irlandën, një episod të cilin policia vendase e cilësoi një përpjekje për të vrarë oficerët e policisë.

Asnjë grup nuk mori përsipër përgjegjësinë e shpërthimit, që ndodhi pranë një vendi ku agjentët e policisë po hetonin një incident të mëparshëm. Në muajt e fundit në Irlandën e Veriut ka patur një rritje të sulmeve ndaj policisë, të marra përsipër nga grupe që kundërshtojnë sundimin britanik dhe marrëveshjen e paqes të vitit 1998, që i dha fund tre dekadave dhunë.

Policia në të dyja anët e kufirit druhet se do të ketë atentate të tjera nëse pas daljes së Britanisë nga BE-ja në zonë rikthehen pikat e kontrollit kufitar. Autoritetet vendase deklaruan se për momentin nuk kanë të dhëna konkrete se kush mund të fshihet pas sulmit, por nuk e konsiderojnë rastësi që ai të ndodhë kur Mbretëria e Bashkuar po bëhet gati të largohet nga Unioni Europian.

Kryeministri Boris Xhonson ka deklaruar se Breksit do të realizohet më 31 tetor dhe kufiri mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës, që do të bëhet kufiri i vetëm tokësor brenda BE-së, mbetet pika më e nxehtë e negociatave.

Lidhur me atentatin, policia dyshon se ai mban firmën e dy grupeve të vogla nacionaliste irlandeze, IRA e Re dhe Vazhdimi i IRA-s, të cilat kanë marrë përsipër përgjegjësinë për sulme të mëparshme./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!