Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit së bashku me bashkëshorten e tij, Cilia Flores.
Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump tha se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një “sulm në shkallë të gjerë” ndaj Venezuelës në orët e para të mëngjesit të sotëm.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, Presidentit Nicolas Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit,” shkruan Trump.
Ai shtoi se operacioni është kryer në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit dhe se detaje të mëtejshme do të bëhen publike më vonë.
Trump njoftoi gjithashtu se një konferencë për shtyp do të mbahet sot në orën 11:00 (ora lokale) në Mar-a-Lago.
Deri në këto momente, nuk ka një konfirmim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë, Pentagoni apo autoritetet venezueliane lidhur me pretendimet e bëra nga Donald Trump.



