Bombardohet qendra e emigrantëve në Libi, 44 të vdekur

schedule17:45 - 3 Korrik, 2019

schedule 17:45 - 3 Korrik, 2019

Mbi 40 persona, shumica e të cilëve emigrantë afrikanë, kanë humbur jetën nga bombardimi i një qendre burgimi në Libi. Në reagimin e saj, Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka barazuar ngjarjen me një krim lufte.

Një sulm ajror ndaj një qendre burgimi për emigrantë afrikanë në periferi të Tripolit shkaktoi vdekjen e të paktën 44 personave dhe plagosjen e mbi 130 të tjerëve. Lajmi është konfirmuar nga Kombet e Bashkuara dhe përbën bilancin më të lartë të vdekjeve të raportuar publikisht që kur trupat e gjeneralit Khalifa Haftar nisën ofensivën ajrore dhe tokësore për marrjen e Tripolit tre muaj më parë. I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Libinë, Ghasan Salame e dënoi sulmin duke thënë se ai arrin nivelin e një krimi lufte. Libia është një nga pikat kyçe të nisjes së emigrantëve afrikanë që përpiqen të arrijnë Europën në rrugë detare, por shumica e tyre kapen dhe kthehen mbrapsht nga roja bregdetare libiane, e mbështetur nga Bashkimi Europian.

Mijëra prej tyre mbahen më pas në kushte çnjerëzore në qendra burgimi të kontrolluara nga qeveria, ku sipas grupeve të të drejtave të njeriut u nënshtrohen edhe akteve të dhunës fizike. Në strukturën e bombarduar këtë herë, përveç viktimave ndodheshin edhe emigrantë të tjerë, të cilët mbetën të plagosur. Një dëshmitar tregoi se shumë nga të lënduarit humbën jetën në përpjekje për t’u arratisur nga qendra e burgimit. /ABC News Albania 24/7