Bomba në krahun e shoferit, si u shpërthye “Mazda” e biznesmenit, po çonte kamarierin në shtëpi

schedule09:58 - 7 Janar, 2022

schedule 09:58 - 7 Janar, 2022

Gazetarja e “ABC” Xhensila Kodra mëson detaje të reja nga atentati me eksploziv që iu bë biznesmenit Mikel Harizaj në orët e para të ditës së sotme në afërsi të rrethit të Selitës në Tiranë. “ABC” ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes, ku duken shenjat e shpërthimit. Të dy shpëtuan, por me plagë të rënda.

Harizaj rezulton të jetë pronar i një lokali në zonën e “Xhamllikut” si edhe i një marketi po në këtë zonë. Ndërsa i plagosuri tjetër 26 vjeçari Serin Dumi që ishte pasagjer është kamarier në lokalin e Harizajt. Ky i fundit mësohet se ka qenë duke çuar për në shtëpi 26-vjeçarin dhe gjatë rrugës mjeti tip “Mazda” ka shpërthyer.

Nuk dihet ende se ku është montuar mina me telekomandë. Ndërsa ishte vendosur nga krahu i shoferit. Mikel Harizaj 42 vjeç dhe Serin Dumi 26 vjeç pas atentatit me eksploziv ndodhen në gjendje të rëndë në spital.

Një burim nga spitali i tha “ABC”-së se dy të plagosurit janë në reanimacion. Dëmtimet që kanë pësuar në gjymtyrë dhe pjesët e tjera të trupit janë të rënda dhe ende nuk e kanë kaluar rrezikun për jetën.

Mikel Harizaj është një emër i njohur për drejtësinë. Në vitin 2009 ai u arrestua nga policia e Vlorës për shkak të një konflikti me disa persona në një lokal.

Pas konfliktit me ta, Harizaj doli nga lokali dhe shkoi në makinën e tij të cilën e kishte të parkuar aty pranë nga ku ka marrë një granatë dore, dhe i ka sulmuar ata.

Më pas Harizaj u fsheh te disa persona në Tiranë, me të cilët kishte edhe lidhje shoqërore, ku dhe u arrestua nga policia. Për shpërthimin me eksploziv prokuroria ka nisur hetimet.

Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!