Bolton: Ideja e shkëmbimit të territoreve erdhi nga Thaçi e Vuçiç

schedule09:29 - 6 Korrik, 2020

schedule 09:29 - 6 Korrik, 2020

Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, ka reaguar në lidhje me deklaratën e emisarit të SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, i cili tha se shkëmbimi i territorit mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë ideja e Presidentit Trump, por e Bolton.

Bolton ka mohuar të ketë propozuar diçka të tillë dhe ka vendosur të tregojë hapur se kush e bëri në të vërtetë i pari propozimin që bëri aq zhurmë.

Ndër të tjera ai e ka pranuar se ka qenë i informuar për këtë çështje, por ka shprehur edhe habi për mënyrën sesi ka reaguar Europa dhe opinioni publik në secilin vend.

Bolton tha se propozimi për territoret ishte ide e Presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, përkatësisht Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiçit, pavarësisht se ai nuk i përmendi në emër.

Gjithashtu në prononcimin e tij për mediat Bolton ka folur për frikën e disa vendeve të BE-së që të pranonin ndarjen e Kosovës, ndërsa ka përmendur impaktin dhe tentativat e Rusisë për të pasur ndikim në Ballkan.

Ish-zyrtari i lartë i Pentagonit e ka konsideruar dështim mosarritjen e zhvillimit të takimit të nivelit të lartë në Uashington më 27 qershor, edhe pse ka qenë i bindur se në të nuk do të arrihej asnjë marrëveshje, por do të ishte vetëm një shans për të bërë dy fotografi.

Nuk ka qenë ideja ime shkëmbimi i tokave, janë liderët e Kosovës dhe Serbisë që e kanë kërkuar. Mendoj se kisha ndikim, mendoja që duheshin marrë disa hapa në Ballkan dhe Europën Lindore, e para për të ulur implikimin dhe ndikimin e Rusisë, që ishte duke u përpjekur që ata të sillnin aromën e luftës së ftohtë. Në radhë të parë, ishte Ukraina në rrezik. Polonia dhe Bjellorusia ishin me mua. Në Ballkan thashë se rreziku mbetej me mosmarrëveshje të pazgjidhura, tokë pjellore për dikë që do të mund të krijojë konflikte. Rezoluta për emrin e Maqedonisë ishte arritje e madhe”, ka thënë Bolton për Fokus.

Ndërkohë ka theksuar se në takimin e zhvilluar në SHBA  mes Serbisë dhe Kosovës nuk është arritur asnjë marrëvehsje dhe ai nuk ka qenë pjesë e takimit.

Mendova të përpiqeshim që të bënim një progres në Kosovë. Takimi në Uashington mes Serbisë e Kosovës nuk prodhoi marrëveshje, unë qëndrova jashtë. Më shqetëson, se nga takimet do ishte një mundësi për fotografi dhe jo më shumë se aq. Takimi dështoi edhe për foto. Duke qenë i vëmendshëm për ndërhyrjet ruse, për mua, Amerikën, por edhe europianët, duhej vëmendje ndaj situatës. Që në 2018 pati ndikime mbi Serbinë e Kosovën. Liderët e Serbisë dhe Kosovës donin t’i zgjidhnin këto çështje mes tyre, pasi nuk mund të kishte zhvillim ekonomik me mosmarrëveshje. Shumë kontroverse brenda dy vendeve.

Një nga gjërat që do të diskutonim ishte këmbimi i tokave, por në Ballkan dhe Europë u prit me kundërshtime, pasi kishin frikë se një shkëmbim tokash atje mund të ndodhte edhe në Europë gjetkë. Kjo ka ndodhur në histori, diçka me të cilën duhet të jetoni, ta pranoni. Nëse Kosova dhe Serbia do ta kishin arritur marrëveshjen dhe do të ishte një pjesë e saj shkëmbimi i tokave dhe një pjesë e BE-së do ishte kundër, a do ta kundërshtonte vallë? Kjo nuk do ndodhte. James Beker dikur pati thënë se vetëm palët mund të marrin vendime, ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë”, është shprehur Bolton duke iu referuar edhe takimit të dështuar të 27 qershorit në Uashington./abcnews.al