Bojkotimi i Superiores, Sindikata e Futbollistëve: Vendim i drejtë, e mbështesim!

schedule08:31 - 6 Gusht, 2020

schedule 08:31 - 6 Gusht, 2020

Liga Profesioniste e Futbollit, pas një takimi të organizuar dje mes klubeve të Superiores, vendosi të bojkotojë sezonin e ardhshëm futbollistik nëse qeveria shqiptare nuk plotëson katër kërkesat e tyre, të hartuara bazuar mbi premtimet e bëra nga kryeministri Edi Rama një vit e gjysmë më parë.

Me vendimin e Ligës pajtohet edhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë, që ka dalë me një reagim zyrtar: “Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë u njoh nga mediat sportive mbi vendimin e marrë nga Liga e Futbollit për bojkotimin e kampionatit kombëtar 2020-2021, në rast të mosplotësimit të katër kërkesave të paraqitura nga ana e Ligës. Sigurisht që nuk na pëlqen që futbolli të ndalojë, për asnjë arsye.

Por në situatën ku ndodhet futbolli shqiptar, të cilën Sindikata e ka denoncuar herë pas here, ishim të sigurt se fatkeqësisht kjo ditë do të vinte. Si përfaqësuese e komunitetit të futbollistëve, Sindikata duhej të thirrej dhe të paraqiste opinionin e saj në lidhje me situatën e futbollit në tërësi si dhe për bojkotin e kampionatit në veçanti.

LEXO EDHE: Shqipëria pa futboll, 9 klube të Superiores i vendosin kushte qeverisë

Megjithëse Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë është anashkaluar qëllimisht për të mos qenë prezente në takimet ku diskutohet për futbollin, pasi zëri ynë konsiderohet si “Muzikë sipas partiturës në një orkestër te stonuar”, sot ne deklarojmë se: Mbështetim plotësisht vendimin e Ligës për bojkotimin e kampionatit të futbollit, pasi kërkesat e Ligës i konsiderojmë legjitime dhe plotësisht të realizueshme.

Urojmë dhe besojmë se ky vendim i Ligës nuk ka asnjë konotacion politik, pasi në këtë rast këto kërkesa do të harroheshin si “Ëndrrat e një natë vere”. Por edhe në këtë rast do të jemi ne që do t’i kujtojmë Ligës angazhimin e tyre të marrë sot për plotësimin e këtyre katër kërkesave. Për aq kohë sa këtë vendim të Ligës e konsiderojmë plotësisht të drejtë, Sindikata do ta mbështetë atë fuqimisht”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!