Sot mund të vijë lajmi i madh për Superioren. Liga Profesioniste e Futbollit, sikurse ka njoftuar disa ditë më parë, do të zhvillojë mbledhjen e radhës prej orës 11:00 në ambientet e stadiumit “Air Albania”.
Të premten presidenti i FSHF, Armand Duka, pati një takim me kryeministrin Edi Rama dhe folën pikërisht mbi Ligjin e Sponsorizimit që krijoi ngërçin më të madh për gjetjen e marrëveshjes mes Ligës dhe Ministrisë së Financave.
Rama, sipas asaj që Duka ka deklaruar, pritet që të udhëzojë Ministrinë për të miratuar Ligjin e Sponsorizimit që ka propozuar komuniteti i futbollit.
Në takimin e sotëm presidentët e klubeve do të informohen mbi atë që Duka ka folur me Ramën dhe më pas do vendosin nëse do vazhdojnë bojkotin apo do të nisin kampionatin. /abcnews.al