Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi në një intervistë të transmetuar nga Zëri i Amerikës këtë të martë se 4 kryetarët shqiptarë të Komunave të Veriut do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë pas bojkotit të qytetarëve serbë këtë të diel për shkarkimin e tyre nga Detyra.
Osmani u shpreh se i vjen keq që Serbët e Veriut zgjodhën që të mos merrnin pjesë në këtë proces si pasojë e presionit që u bë ndaj tyre nga Beogradi zyrtar.
“Siç u përmend edhe sot nga përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara tani kryetarët aktualë mbesin në zyrë, sepse kjo ka qenë zgjedhja e serbëve që jetojnë në këto katër komuna të veriut për shkak të, fatkeqësisht, presionit të vazhdueshëm që ua bën Serbia. Tani këta kryetarë kanë edhe një kohë mandat. Kosova ka ofruar gjithçka çka ofrohet nëpërmjet legjislacionit të saj. Kemi bërë përgatitje jashtëzakonisht të shumta, kemi miratuar udhëzime të reja administrative. Kemi ndarë buxhet të madh, pra gjithçka që ofrohet në vende demokratike, ne e kemi ofruar. Ne nuk mund t’i nxjerrim qytetarët me zor që të votojnë”, u shpreh ajo.
E pyetur për insistimin e ndërkombëtarëve që Kosova të themelojë sa më parë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe sipas draft statute që I është dorëzuar autoriteteve të Prishtinës Zyrtare, Osmani deklaroi se kjo është diçka e cila është në dorë të Qeverisë Kurti dhe Gjykatës Kushtetuese.
“Unë nuk mund të përcaktojë afate. Sipas statutit por edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, kjo është detyrë e qeverisë së Kosovës. Në vitin 2017-2018 dhe në vitin 2021, ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese të cilat e kanë kufizuar mandatin e Presidentes për të ngritur çështje kushtetuese, ose për të bërë pyetje kushtetuese në qoftë se një dokument është në përputhje me Kushtetutën. Pra, pa u miratuar fillimisht ky dokument nga qeveria, ose pa u nxjerr ndonjë akt i qeverisë, si Presidente nuk mund ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 113”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani foli në intervistën e saj për Zërin e Amerikës edhe mbi zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit Zyrtar.
Osmani deklaroi se Kosova nuk i frikësohet zbatimit të marrëveshjeve të deri tanishme, megjithatë ajo kërkoi që Brukseli të hartojë një plan sekuencimi në mënyrë që të dyja palët të ecin njësoj dhe në mënyrë të barabartë mbi bazën e asaj që parasheh marrëveshje e Ohrit.
“Nuk mundemi ne të kërkojmë nga Kosova zbatim të pjesës kryesore të marrëveshjes, kurse nga Serbia, ta zënë, të mos kërkojmë që të votojë pro në Këshillin e Evropës. Në qoftë se kërkohet zbatim, duhet të kërkohet nga të dyja, siç e thashë, ndryshe krejt kredibiliteti i dialogut dhe parimi i trajtimit të barabartë të palëve nuk kanë më asnjë kuptim. Sepse në njëfarë mënyre, po mbetet vetëm njëra palë në proces, pasi tjetra tashmë është tërhequr formalisht duke dërguar letër në BE që nuk do ta zbatojë marrëveshjen. Dhe njësoj e tha edhe Vuçiçi sot në Këshillin e Sigurimit, që ata e duan Asociacionin, por pa ndërmarrë asnjë hap drejt njohjes reciproke, qoftë de facto apo de jure në raport me Kosovën. Marrëveshja, në fakt, i ka të gjithë elementët e njohjes de facto, që nga njohja e sovranitetit e integritetit territorial e deri tek parimet tjera të Kartës së OKB-së, të cilat vlejnë vetëm mes shteteve. Por ata po e thonë qartë që nuk do ta zbatojnë.”, shtoi Osmani.