“Bojkoti arma e fundit”, avokati Kola: Kontrolli që i bëhet sistemit gjyqësor sot është politik

schedule12:09 - 8 Korrik, 2022

schedule 12:09 - 8 Korrik, 2022

Dhoma e Avokatisë ka vendosur bojkot të përgjithshëm pa afat të seancave, ndërsa për masat e sigurimit ka vendosur bojkot 10 ditë.

Avokati Julian Kola, i ftuar në studion e “Abc Live” në Abc u shpreh se bojkoti është arma e fundit që duhet të përdorin në këtë situatë. Sipas gjykimit të tij, nëse bojkotohen seancat nuk ndihmohen qytetarët që janë pas hekurave, pasi Dhoma e Avokatisë kundërshton hartën e re gjyqësore pikërisht për këtë qëllim, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve.

Kola: Unë jam pro bojkotit, por mendoj që nuk është arma e fundit në këtë situatë ku jemi. Ne po mendojmë për qytetarët. Pas hekurave po dëmtohen mijëra qytetarë të tjerë. Pas një reforme në drejtësi ishte e pritshme. Qeveria bashkë me hartën e re gjyqësore nuk sjell argumente që të themi se kjo hartë do na shpëtojë nga kolapsi ku është futur sistemi i drejtësisë dhe do ulë problematikat e çështjeve nëpër rrethe. Në këtë mes vetëm qytetari nuk po mbrohet. Dhoma Kombëtare e Avokatisë duhet të kishte ngritur një grup pune dhe të jepte argumentet e të bindte qeverinë dhe KLGJ-në që është iniciatorja. Të debatohet jo të shkohet te arma e fundit që është bojkoti.

Lexo edhe: Harta e re gjyqësore, Dhoma e Avokatisë vendos bojkot të përgjithshëm pa afat

Nëse Harta e Re Gjyqësore e propozuar nga KLGJ miratohet, sipas qeverisë do të shkurtojë kohën e marrjes së drejtësisë. Por sipas avokatit do të zgjatë distancën fizike. Sipas tij në çdo rreth duhet të ketë një gjyqtar administrativ.

Kola: I gjithë diskutimi shtrohet në aspketin e distancës fizike. Qeveria thotë që ne po mendojmë për të shkurtuar kohën për të marrë drejtësinë, ata mendojnë që me miratimin e hartës së re do shkurtohet koha. Avokatët e rretheve thonë që sjell një dëm të konsiderueshëm për shkak se mbyllen zyrat, qytetari nuk ka akses në Gjykatë në territorin ku është mësuar të marrë drejtësinë. Propozimi i KLGJ dhe ministrisë është për shkak se nuk duhen trajtuar çështjet administrative, civile dhe penale në të njëjtin aspekt. Qytetari është më i prekur në çështjet administrative sepse ka më tepër çështje administrative. Mendimi ime personal është që të ketë në çdo rreth gjyqtar administrativ.

Avokati Kola u shpreh se avokatët kanë reaguar për herë të parë në 30 vjet. Në gjykimin e Kolës kontrolli që i bëhet sistemit gjyqësor sot është kontroll politik.

Kola: Kontrolli që i bëhet sistemit gjyqësor sot është një kontroll politik. Janë komisionet e vettingut dhe i apelimit të cilat janë krijuar nga politika. Reforma në drejtësi që është bërë në Shqipëri është kontroll politik që i është bërë nga ana e politikës. Nëse do kishte një rezistencë konstante në lidhje me disa moment kyçe që ka hasur sistemi i drejtësisë, qeveria, KLGJ do kishin pasur parasysh rezistencën e avokatëve.

Avokati në përfundim theksoi se është dakord me bojkotin, por duhet të kishte një mendim më kritik dhe profesional dhe nuk duhet të ishte bojkoti arma e fundit sepse ka me mijëra qytetarë që presin drejtësi./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!