Bogdani: Bravo Roma! Ju tregoj pse 30 milion € nuk janë shumë për Kumbullën

schedule11:58 - 17 Shtator, 2020

schedule 11:58 - 17 Shtator, 2020

Erion Bogdani përgëzon Romën për transferimin e Marash Kumbullës. Qendërmbrojtësi do të nisë një eksperiencë të re dhe ish-sulmuesi i kombëtares, i cili e ka pasur nën urdhra shtatlartin te Shqipëria U19, flet me superlativa.

“Roma ka marrë një mbrojtës të shkëlqyer, ka bërë një investim të shkëlqyeshëm. Është i datëlindjes 2000 dhe ka luajtur në ekipin tim (i referohet Shqipërisë U19) edhe nën moshë madje. Është përmirësuar dhe është rritur shumë. Vjet ai bëri një kampionat shumë të mirë”, thotë fillimisht Bogdani për “Tele Radio Stereo”.

 

Erjon Bogdani

30 milion euro duhet të japë verën e ardhshme Roma dhe ish-sulmuesi thekson se nuk është një shifër e ekzagjeruar. “Çmimi i tij nuk është i ekzagjeruar, pasi e ndiqnin shumë klube. Roma, e përsëris, ka bërë një goditje të madhe për një lojtar të ri, i cili tani është një titullar në kombëtaren e tij.  Roma duhet ta mbrojë investimin e bërë. Ai vjen në një vit të vështirë për klubin, por do jetë pjesë e një skuadre të fortë. Tani e ka në dorë vetë Marashi”.

A ka diçka që Kumbulla duhet ta përmirësojë? Bogdani shprehet kështu: “Në Serie A duhet të përmirësohesh gjithmonë, pasi ka sulmues të fortë. Ai është një lojtar i gjatë dhe ndokush mund të thotë se është i ngadaltë, por kjo nuk është e vërtetë. Marash i lexon shumë mirë veprimet e kundërshtarëve, është pozicional dhe vjet më ka bërë shumë përshtypje kundër Interit, në duelet me Lukakun. Ia doli në mënyrë të shkëlqyer”.

Me Hellas Verona Kumbulla ka luajtur në një sistem mbrojtës me tre në qendër, por kjo nuk është problem për lojtarin e kombëtares shqiptare. “Te Shqipëri U19 ka luajtur në mbrojtje me katër, si qendër e majtë. Ai është një lojtar që ka personalitet, i cili nuk ka frikë edhe të dalë përpara. Po flasim për një djalosh 20-vjeçar, i cili di të përshtatet me sistemin mbrojtës”, përfundon Bogdani. /abcnews.al