Zlatan Ibrahimovic mund të përfundojë te Boca Juniors. Agjenti i bomberit suedez, Mino Raiola mohoi para disa ditësh këto zëra, por e vërteta është ndryshe.
Një zyrtar i klubit të famshëm nga Buenos Aires ka pranuar interesimin për gjigantin e sulmit, i cili feston 38-vjetorin e lindjes në datën 3 tetor. Kontrata me Los Angelos Galaxy përfundon në dhjetor dhe e ardhmja mund të jetë futbolli amerikano-latin.
“Është e vërtetë, Ibrahimovic dëshiron të vijë këtu. Është po kaq e vërtetë që jemi në gjendje të realizojmë këtë transferim. Klubi ndodhet në një moment të mirë ekonomik dhe mund të përballojmë rrogën e Ibrës”, konfirmon Jorge Anro për Mundo Boca Radio. Kjo do të ishte një goditje e madhe për Boca Juniors, që ka siguruar më parë edhe shërbimet e Daniele De Rossit, ndërsa Ibra do të shkruante një tjetër faqe të bukur të karrierës së tij të mrekullueshme.
Por më parë duhet gjetur akordi financiar me sulmuesin dhe agjentin e tij. Të negociosh me Mino Raiolën nuk është kurrsesi e thjeshtë, teksa tifozët e Bocës shpresojnë që të triumfojë dëshira e Ibrës për të provuar emocionet e mitikut Bombonera dhe pasionin e tifozëve të zjarrtë argjentinas./abcnews.al