Kevin Prince Boateng u largua nga Fiorentina në ditët e fundit të merkatos së janarit dhe zgjodhi Turqinë për të vazhduar karrierën. 32-vjeçari ganez u huazua te Besiktas, ekip që renditet në vend të shtatë të Superligës turke me 33 pikë, tetë larg kreut.
Sulmuesi ka shpjeguar vendimin e tij në një deklaratë për sajtin zyrtar të Besiktas. Boateng deklaron se kjo ishte një dëshirë e vjetër e tij, ndërkohë që miqtë e vjetër do jenë lumturuar shumë për këtë lëvizje.
“Jam befasuar nga ajo që kam parë këtu. Sigurisht që e dija që Besiktas është një klub i madh, por pasi vjen këtu e dallon që niveli i profesionalizmit është shumë i madh. Turqia dhe Besikatas kanë qenë gjithmonë prioriteti im.
Kisha shumë miq turq në Berlin, të cilët ishin tifozë të Besiktas. Më shkruajtën menjëherë sapo morën vesh lajmin që do të transferohesha në Turqi. ‘Po kthehesh në shtëpi’, lexohej në mesazhet e tyre. Sapo erdhi kjo ofertë i thashë agjentit tim ta pranojë direkt“, komenton Boateng. /abcnews.al