Sali Berisha doli bllof me gosipin e radhës të qytetarit dixhital. Paradite njoftoi se kreu i PSD, Tom Doshi është arratisur nga Shqipëria prej një urdhër arresti nga SPAK.
Por kreu i PSD, iu përgjigj me një foto pak metra larg selisë blu.
“O Sali mashtruesi! Për 20 vjet ke shpif kundër meje. Nuk jam largu, jam këtu, në mes te Tiranës duke e pi kafen mes miqsh e jo mes paranojash. Nuk frikësohem se nuk e kam vjedhur popullin si ti!”
Berisha e fshiu statusin, dhe në mbledhjen e grupit parlamentar u detyrua të përgënjeshtrojë veten. Por fajin për gosipin, ia hodhi SPAK-ut.
“Toma nuk është arratisur, ska as urdhër arrest. Sepse servir SPAK lajme të rreme. Shih si funksionojnë këta”
Javën e ardhshme Altin Dumani do të raportojë për herë të fundit si drejtues i SPAK para Kuvendit. Dhe Berisha pas bllofit me Tom Doshin, dha një njoftim të rëndësishëm për shqiptarët.
“Informoj shqiptarët se nuk do të quhet më SKAP, por Qendra Kombëtare e Shpifjes dhe Dezinformimit”
Por duket se Tom Doshi ishte vetëm fillimi i ofensivës së re ndaj SPAK, që në dhjetor do të ketë drejtuesin e ri. Një ofensivë e cila nga selia blu ka zbritur në parlament.
“Nuk po trajtojmë një aspekt, i pashmangshëm edhe në opinionin publik, se SPAK është kthyer në një pushkë për të goditur opozitën. Që nga masat e sigurisë, ndryshe për një eksponent të opozitës, ndryshe për qeverinë madje dhe për një nëpunës të thjeshtë të qeverisë”
Duket se tashmë përballja me SPAK e PD është zyrtare. Paradoksalisht ajo po ashpërsohet me largimin e Dumanit nga kreu i SPAK në dhjetor.
Por Dumani do të qëndrojë në SPAK si prokuror i dosjeve të mëdha, si 21 janari. Dhe rastësisht pas dhjetorit vjen janari. Një dimër i ashpër për opozitën dhe një dimër i fundit politik për ndonjë nga krerët e saj./abcnews.al

