Bllokohet politika për emigracionin, Trump shpërthen ndaj gjykatës

schedule23:12 - 9 Prill, 2019

schedule 23:12 - 9 Prill, 2019

Një gjykatë në Shtetet e Bashkuara ka bllokuar sërish politikat e Donald Trump për emigracionin. Vetë presidenti ka reaguar i irrituar, duke e akuzuar drejtësinë se ka marrë një vendim kundër Amerikës.

Presidenti Donald Trump ka shpërthyer të martën ndaj një gjyqtari që bllokoi politikën e tij për azilkërkuesit.

Një gjyqtar ka vendosur se Meksika është shumë e rrezikshme për emigrantët. Ky është një vendim kundër Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar Trump. Politika e tij parashikonte kthimin e emigrantëve në Meksikë, ku dhe do të prisnin vendimin e drejtësisë amerikane për kërkesën e tyre për azil.

Disfata ligjore e Trump vjen në një moment kur numri i emigrantëve në kufi me Meksikën është rritur, duke kapur kuotën më të lartë që prej vitit 2008. Trump tha se kishte mbetur i shtangur kur oficerët e emigracionit i kishin thënë se numri i emigrantëve të grumbulluar në kufi në muajin mars kishte shkuar mbi 100 mijë.

Ishte një gjyqtar i San Fransiskos që ditën e hënë vendosi se politika e administratës për emigracionin nuk mund të hyjë në fuqi deri të premten e ardhshme, duke iu dhënë mundësi autoriteteve amerikane që ta apelojnë vendimin. Ndërkohë, Departamenti i Sigurisë së Brendshme, që implementon direktivat e presidentit për emigracionin, ndodhet në një turbullirë pas dorëheqjes së sekretares Kirstjen Nilsen ditën e diel, pas një takimi me presidentin në Shtëpinë e Bardhë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!