Bllokohet karvani i emigrantëve

schedule22:38 - 20 Tetor, 2018

schedule 22:38 - 20 Tetor, 2018

Karvani i emigrantëve të nisur nga Hondurasi për të arritur Shtetet e Bashkuara ka mbetur i bllokuar në kufirin mes Guatemalës dhe Meksikës. Ka qenë policia meksikane që ka ndalur avancimin e tyre, pas kërcënimeve të presidentit Donald Trump se do të mbyllte kufirin. Ndërkohë, nga Meksika, sekretari i Shtetit ka paralajmëruar se situata po kthehet në krizë.

Disa mijëra persona që udhëtonin nga Amerika Qendrore për të arritur Shtetet e Bashkuara kanë mbetur të bllokuar në kufirin jugor të Meksikës, pas një përpjekjeje të dështuar për të hyrë në këtë vend.

Disa prej tyre kapërcyen gardhin me tela me gjemba në kufirin e Guatemalës, por më pas hasën rezistencën e policisë meksikane në zonën kufitare neutrale e njohur si “toka e askujt”. Emigrantët, kryesisht nga Hondurasi, deklarojnë se po largohen nga vendet e tyre për shkak të dhunës dhe varfërisë. Mes tyre ka edhe gra e fëmijë.

“Po largohemi nga dhuna, por mbërrijmë këtu dhe na sulmojnë më shumë”, ka thënë 28-vjeçarja Marta Ornelas, nënë e një fëmije të vogël.

Ditën e premte, presidenti Donald Trump falenderoi Meksikën për përpjekjet e saj për të ndalur karvanin. Trump, i cili kërcënoi me mbylljen e kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara dhe me ndërprerjen e ndihmave financiare për vendet e Amerikës Qendrore, paralajmëroi edhe me angazhimin e ushtrisë.

“Ata mundet fare mirë të kthehen mbrapsht, në Amerikë nuk do të hyjnë”, tha Trump.

Ndërkohë, pas takimeve të zhvilluara me autoritetet në Meksikë, sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka deklaruar se situata po degradon dhe ekziston rreziku që të kthehet në krizë. Emigrantët goditën me gurë agjentët e policisë meksikane të vendosur në kufi, të cilët më pas përdorën gaz lotësjellës për t’i zmbrapsur.

Ndërkohë, të tjerë u hodhën në lumin që ndan Guatemalën me Meksikën në përpjekje për të arritur disa varka të vogla. Agjencia e lajmeve “AFP” raporton se pas disa orë përplasje, agjentët kanë lejuar një numër të vogël njerëzish të kalojnë kufirin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!