Bllokimi i kritikëve në rrjetet sociale, gjykata ndëshkon Donald Trump

schedule00:00 - 9 Korrik, 2019

schedule 00:00 - 9 Korrik, 2019

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara vendosi të martën se presidenti Donald Trump ka shkelur kushtetutën duke bllokuar personat që e kritikonin atë në profilin e tij në Twitter.

Gjykata e Manhatanit deklaroi se amendamenti i parë i Kushtetutës i ndalon kreut të shtetit të përdorë opsionin e bllokimit për të kufizuar aksesin në profilin e tij, që ka 61.8 milionë ndjekës.

“Amendamenti i parë nuk i lejon një zyrtari publik që përdor mediat sociale për të gjitha qëllimet të përjashtojë persona vetëm sepse kanë një këndvështrim ndryshe”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Zyra e shtypit në Shtëpinë e Bardhë nuk e ka komentuar vendimin, por një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë është shprehur e zhgënjyer nga gjykata.

Ajo ka bërë me dije se stafi i presidentit po shqyrton hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrë lidhur me këtë çështje.

Presidenti Trump e ka kthyer profilin e tij në Twitter, të cilin e hapi në vitin 2009, në kal beteje të presidencës së tij, duke e përdorur për të promovuar axhendën dhe për të sulmuar kritikët./ABC News Albania 24/7