Bllokada e porteve të Ukrainës rrezikon të lërë pa ushqim miliona njerëz në botë

schedule11:55 - 21 Maj, 2022

schedule 11:55 - 21 Maj, 2022

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Dështimi i fushatës së Galipolit në vitin 1915 u shkaktua pjesërisht, nga një krizë globale ushqimore. Hyrja e Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Botërore, në anën e Gjermanisë, bllokoi eksportet e drithit nga perandoria ruse, e cila më pas përfshinte edhe Ukrainën.

Duke detyruar hapjen e kalimit midis Detit të Zi dhe Mesdheut, Britania dhe aleatët e saj shpresonin të rrëzonin turqit dhe të rivendosnin marrëdhëniet me rusët. Kjo do të ndihmonte në uljen e çmimeve të ushqimeve dhe do të forconte financat e dobëta të Rusisë. Por zbarkimi i anijeve në Dardanele u kthye në fatkeqësi dhe aleatët u tërhoqën pas një viti.

Një shekull më pas, Perëndimi po përballet me një situatë të ngjashme: si mund të eksportohen ushqimet nga Ukraina për shkak të bllokadës së vendosur nga Rusia për të lehtësuar në këtë mënyrë mungesat globale të ushqimit.

Andrey Stavnitser, pronari i operatorit më të madh privat të terminalit të transportit detar të Ukrainës, tha se kapanonet e grurit ukrainas janë plot dhe nuk ka vend të mjaftueshëm për të korrat e këtij viti.

“Nëse nuk do të mund ta eksportojmë, do të fillojë të kalbet”, tha ai. Në mënyrë zhgënjyese, Rusia është në gjendje të eksportojë drithërat e saj, duke përfshirë të korrat e vjedhura nga toka e pushtuar, nga Deti i Zi ndërkohë që portet e Ukrainës janë të bllokuara.

“Hapja e portit të Odesës është po aq e rëndësishme sa furnizimi i Ukrainës me armë,” tha ai.

BE-ja po kërkon alternativa të tjera si nëpërmjet rrugëve tokësore. Por në këtë mënyrë mund të eksportohet vetëm një pjesë e eksporteve të Ukrainës. E vetmja mënyrë për të eksportuar të gjithë grurin ukrainas është nga deti, raporton abcnews.al

Por si?

Disa njerëz tani po eksplorojnë idenë e autokolonave detare për të shoqëruar anijet tregtare brenda dhe jashtë Odessa dhe porteve aty pranë. Stavnitser shpreson për një kolonë të OKB-së të udhëhequr nga Turqia. James Stavridis, ish-komandanti suprem i aleatëve të NATO-s, ka sugjeruar mbrojtjen e cisternave të naftës në Gjirin Persik gjatë luftës Iran-Irak të viteve 1980, duke sugjeruar që e njejta gjë të bëhet edhe tani.

Por James Foggo, ish-komandanti i forcave të NATO-s në Mesdhe, argumenton se paralelizmi është mashtrues.

“Ndryshimi është se Irani nuk ishte një fuqi bërthamore  Rusia është një fuqi bërthamore. Rusia është një fuqi e madhe dhe ekziston rreziku i përshkallëzimit”. Anijet luftarake të Amerikës u goditën nga Iraku dhe Irani dhe njëra prej tyre rrëzoi gabimisht një aeroplan iranian.

Autokolonat në Detin e Zi po përballen me kufizime ushtarake, ligjore dhe politike. Marrim si shembull marinën ruse: grumbullin e sistemeve anti-ajrore kundër anijeve me bazë në Krime, të cilën Rusia e aneksoi në 2014.

Kjo i lejon asaj të dominojë pjesën më të madhe të Detit të Zi nga toka. Dhe pavarësisht fundosjes së Moskva, anijes kryesore të Rusisë në Detin e Zi, forcat e saj detare mbeten të fuqishme duke përfshirë anije dhe nëndetëse të armatosura me raketa Kalibr.

Odessa është brenda rrezes së sulmeve. Ukraina ka bllokuar shumë nga kalimet e saj detare për të parandaluar një sulm amfib rus. Plazhet e Odesës janë të mbyllura dhe ruhen nga ushtarë. Porti, duke përfshirë shkallët e tij të famshme Potemkin, nuk është më në përdorim, raporton abcnews.al.

Gjithashtu disa anije të huaja kanë mbetur të bllokuara tani në ujërat e Ukrainës; disa janë fundosur. Por Ukraina po përballet me një mangësi, i mungon kapaciteti për të pastruar korsitë e nevojshme detare. Për më tepër, sipas një diplomati, “Nëse gjërat lehtësohen me qëllim që të eksportohet gruri, por më pas rusët lejohen të hyjnë fshehurazi dhe të sulmojnë Odesën, ky është një tjetër problem”.

Megjithatë, ndërsa përparimi i forcave ruse ka ngecur, presidenti Volodymyr Zelensky u ka thënë kongresmenëve amerikanë qse armatosja e Ukrainës me më shumë raketa kundër anijeve mund të lejojë fillimin e çminimit.

Mbrojtja e autokolonave mund të kërkojë një prani të konsiderueshme detare të NATO-s. Kjo ngre pyetje në lidhje me Konventën e Montreux të vitit 1936, e cila merret me rregullimin e transportit në ngushticat turke. Turqia ka shkelur nenin 19, duke ndaluar në fakt kalimin e anijeve të shteteve ndërluftuese – një lëvizje që prek Rusinë më shumë se të tjerët.

Turqia u ka thënë joformalisht vendeve të tjera që të mos lejojnë kalimin e anije luftarake në Detin e Zi. Ajo mund të merrte masa të tilla zyrtarisht sipas nenit 21 nëse ndihej e “kërcënuar nga rreziku i afërt i luftës”.

Konventa gjithsesi kufizon anijet luftarake nga shtetet jo-bregdetare dhe kohën që ato mund të qëndrojnë ato në Detin e Zi. Turqia është një anëtare e NATO-s dhe nuk përballet me kufizime të tilla. Por marrëdhëniet e saj me Rusinë janë të paqarta: ajo i ka shitur Ukrainës dronin Bayraktar tb-2, por gjithashtu ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe ka lejuar superjahtet e oligarkëve të “strehohen” në ujërat e saj.

Debati mbi autokolonat ka shkaktuar reagime të shumta mbi vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën perëndimore: Por a janë aleatët e NATO-s gati të rrezikojnë një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë?

Presidenti Joe Biden u shpreh kundër vendosjes së një zonë ndalim-fluturimi. Pasi kjo do të rrezikonte “Luftën e Tretë Botërore”, tha ai. Pa mbështetjen amerikane, është e vështirë të imagjinohet që të tjerët të përballen me Rusinë.

Por ka një shpresë sado të zbehtë se presioni ndërkombëtar, veçanërisht nga vendet joperëndimore mund të bindë Rusinë të heqë dorë. Disa mendojnë ose shpresojnë se Vladimir Putin, presidenti i saj, nuk do të dëshirojë të jetë përgjegjës për urinë globale.

António Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, ka sugjeruar një marrëveshje me anë të së cilës Rusia do të lejonte dërgesat ushqimore nga Odessa në këmbim të lehtësimit të sanksioneve për eksportet e plehrave nga Bjellorusia dhe Rusia.

Shumë zyrtarë mendojnë se Putini është më i vendosur se kurrë për të shtypur Ukrainën ekonomikisht duke pasur parasysh dështimin e tij për ta pushtuar atë ushtarakisht, raporton abcnews.al.

Diplomatët perëndimorë thonë se rihapja e porteve të Ukrainës nuk është opsioni i duhur për të paktën gjashtë muaj.

Amerika, e cila aktualisht mban presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, po përpiqet të marrë veprime për përmirësimin e sigurisë ushqimore në përgjithësi. Përpjekja e SHBA-së synon pjesërisht t’u tregojë vendeve se është Rusia përgjegjëse dhe jo Perëndimi për luftën në Ukrainë dhe krizën ekonomike.

Vendet perëndimore mund të paraqesin ende një mocion që kërkon rihapjen e portit të Odessa-s, qoftë edhe vetëm për të detyruar Rusinë të përdorë veton e saj. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila përfshin të gjithë anëtarët, kërkon që çdo vend që hedh veto të shpjegohet përpara asamblesë brenda dhjetë ditëve.

“Në disa mënyra rreziku më i madh është se Rusia mund t’i thotë po rihapjes së portit të Odessa-s, por më pas të krijojë të gjitha llojet e pengesave procedurale”, tha Richard Gowan, anëtar iGrupit Ndërkombëtar të Krizave, një institut kërkimi.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!