Bllofi i Berishës me protestën e dhjetorit

schedule10:13 - 20 Nëntor, 2022

schedule 10:13 - 20 Nëntor, 2022

Nga Lorenc Vangjeli 

“Sjellje si burrë shteti!”. Kurrë ndonjëherë më parë, një përcaktim i vetëm, për një personazh të vetëm, nuk ka shkaktuar aq kundërthënie dhe emocione të ndryshme në Tiranë. Kjo bëhej e kuptueshme kur autor i saj ishte një ambasador amerikan, kur shprehja i drejtohej drejtuesit të hekurt të vendit dhe kur ajo dëgjohej në fundjavën e çmendur të janarit 2011, kur Shqipëria dukej se po rëshkiste në çmendurinë e një përplasjeje dramatike, me një epilog që do t’i nxirrte me siguri matematike të gjithë humbës.

Në 21 janar të atij viti, Garda e Republikës kishte ekzekutuar pa gjyq katër qytetarë shqiptarë në Bulevard dhe Edi Rama, atëherë kryetar i opozitës, kishte premtuar një protestë homazh në shesh për viktimat, fiks një javë pas masakrës. Berisha i ishte përgjigjur me zotimin se do të mbante një miting mbështetjeje për qeverinë në mes të së njëjtës javë.

Ekuilibrat e brishte të një demokracie edhe më të brishtë ishin vënë në pikepyetje dhe shkërmoqja e shtetit ishte një skenar i mundshëm, pasojë e një spiraleje ngjarjesh që do të shkaktonin fraktura të jashtëzakonshme në trupin e shoqërisë shqiptare. Ndërhyrja e ndërkombëtarëve ishte zjarrfikësja e duhur, edhe njëherë si përherë, aty ku faktorët lokalë silleshin vetëm si benzina në zjarr.

Falë kësaj ndërhyrjeje, në mënyrë të papritur, njeriu që fliste për grusht shteti dhe lavire bulevardi, për hakmarrje dhe snajperë që do t’i përdorte vetë, u tërhoq si rrallë herë në jetën e tij. Një gjë që nuk e kishte bërë as kur përballë i dilte muri dhe ai refuzonte të gjente derën, por përdorte kokën si çelës për ta hapur. Ish-ambasadori amerikan Arvizu e cilësoi tërheqjen e Berishës si “sjellje prej burri shteti”, çka mikloi një palë që e shihte Berishën si vetë shembëlltyrën e shtetit dhe zemëroi palën tjetër që rënien e shtetit ja faturonte pikërisht Berishës. E me gjithë këndvështrimit krejt të kundërta të palëve, pala e tretë, ja doli të fitonte kohën e çmuar për zgjidhje, në mënyrë që koha e Shqipërisë të mos mbetej në dorë të marrëzisë.

Ndoshta ambasadori i mencur Arvizu, që kishte pak kohë që kishte ardhur në Tiranë, nuk e kuptoi që Berisha po blofonte si një lojtar i mirë pokeri. Ai po tërhiqej nga premtimi për të bërë një akt që as nuk kishte ndërmend ta bënte sepse nuk i interesonte. Ndoshta ambasadori Arvizu e kishte kuptuar blofin, por i përgjigjej dhe atij me të njëjtin monedhë duke i dhënë këtë cikërrimë përkëdheljeje për të mos shkaktuar telashe shumë më të mëdha më pas. Nuk ka pikën e rëndësisë një gjë e tillë, e parë nga këndvështrimi i pasojave që erdhën dhe që shmangën më të keqen.

Kjo ndodhi e janarit 2011 është vetëm një copëz tragjike e historisë moderne shqiptare. Si rregull, përsëritja e saj, herën e dytë bëhet komike.
Të martën e parë të dhjetorit, në Tiranë do të zhvillohet samiti i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Për një vend modest si Shqipëria, kjo adrenalinë diplomatike në një kohë kaq të trazuar për Evropën nuk është me domosdo mbështetje për drejtuesit lokalë të vendit, por është shumë më shumë se kaq: është një ridëshmim i pozicionit gjeopolitik të Shqipërisë në veçanti dhe të gjithë rajonit në përgjithësi.

Po këtë të martë, me ngulmin e pashoq që ka dëshmuar gjithë jetën e tij, Berisha ka premtuar një protestë masive në Tiranë kundër qeverisë. Për t’u treguar atyre fytyrën e regjimit, siç thotë vetë Doktori. Një protestë nuk është kurrë një akt për t’u sharë apo urryer. Ajo është në rastin më të keq një valvulë që shfryn presionin e një pjesë të shoqërisë, është vitaminë kundër depresionit kolektiv të saj dhe është një paralajmërim i shëndetshëm për qeverine. Por protesta e thirrur kësaj here, e treta në rresht që Berisha bën që nga vera, është zgjidhja më e gabuar e mundshme.

Protesta është bumerangu fatkeq që do t’i bjerë në oborrin e opozitës. Ky cicmic ballkanik, kjo klithmë e dëshpëruar: “Më llogarisni edhe mua!”, i ka të gjitha gjasat të kthehet në një tjetër faturë për t’u paguar. Njëlloj si kura e duhur në kohën e gabuar. Ajo do të forcojë dhe më tej dikotominë që po ngulitet për ndeshjen mes dy palësh ku njëra sheh nga Perëndimi, kurse tjera joshet nga Lindja për të gjetur rilindjen vetjake.

Përballë samitit që është pjesë e një mekanizmi që kërkon me ngulm stabilitet për shkak të traumës ukrainase edhe me kushtin që t’i shkelet një sy standarteve të demokracisë, destabilizimi i premtuar nga opozita shqiptare do të përkthehet po sipas kësaj dikotomie.

Sali Berisha, kjo qenie e jashtëzakonshme politike nuk është naiv. I izoluar nga Perëndimi, i refuzuar edhe nga SHBA, ai mund të shkojë, fjala vjen, në Britaninë e Madhe vetëm duke u nisur ilegalisht me gomone nga brigjet franceze.

Në këto kushte, Sali Berisha nuk po përgatit protestë. Realisht ai ka bërë një ofertë, ai po luan blofin, duke kërkuar “pazar vetjak”. Ai kërkon t’i dërgojnë lutjen për të shtyrë protestën. Duke luajtur me zarat e fatit, ai po tenton që edhe në këtë dimër të vetmisë së madhe, njëlloj si në janarin e 11 vjetëve më parë, t’ia konsiderojnë tërheqjen si sjellje prej burri shteti. Mbasi mposhti PD-në zyrtare duke shfrytëzuar frustrimin e dyfishtë të demokratëve nga vitet e gjata në opozitë dhe pandehmat për teori konspirative që e konsiderojnë Perëndimin “mik të armikut”, ai po tenton dëshpërimisht të rikonsiderohet si bashkëbisedues në Shqipëri.

Berisha e di që është aktor i dorës së parë në vend. Kërkon të rishihet si faktor nga ndërkombëtarët.
Me shumë gjasë protesta e 6 dhjetorit nuk do të zhvillohet. Me shumë gjasa Ilir Meta, bashkaksioneri i tij i opozitës do të jetë vendimtar në shtyrjen e saj, pavarësisht sjelljes që do të demonstrojë në publik.
Në të kundërt, dualizmi me Samit në salla solemne dhe demonstrim në rrugë, do të jetë rasti i radhës për të parë se Shqipëria, e parë si shteti i burrave të fortë, ka patur tmerrësisht rrallë burra shteti. Edhe atëherë kur shteti e shqiptarët vetëm kanë paguar për ta./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!