Blinken: SHBA ndërmjetëson marrëveshjen për të dërguar vaksina në zonat në konflikt

schedule17:43 - 10 Nëntor, 2021

schedule 17:43 - 10 Nëntor, 2021

Shtetet e Bashkuara thanë se po shtojnë përpjekjet për të rritur prodhimin e vaksinave kundër COVID-19 dhe për të vazhduar dhurimin e tyre tek vendet e varfra, me synimin për t’i dhënë fund pandemisë deri në vjeshtën e ardhshme.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi të mërkurën se SHBA-ja ka ndërmjetësuar një marrëveshje që vaksinat Johnson & Johnson t’u dërgohen njerëzve që jetojnë në zonat në konflikt.

Zoti Blinken i bëri këto komente gjatë një takimi virtual lidhur me COVID-19 që bëri bashkë homologët e tij nga vende të tjera si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

COVAX është programi ndërkombëtar i ndarjes së vaksinave për vendet e varfra i cili mbështetet nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat që operojnë në fushën e shëndetësisë si Gavi dhe CEPI.

Sekretari amerikan i Shtetit njoftoi gjithashtu të tjera hapa, përfshirë një sistem gjurmimi të të dhënave lidhur me COVID-in të krijuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Banka Botërore.

Po kështu është krijuar një partneritet i ri publik-privat, sipas të cilit kompanitë kryesore private do të punojnë pa pagesë duke ofruar ekspertizën e tyre për të mbështetur fushatat e vaksinimit, menaxhimin e zinxhirëve të furnizimit dhe për të ndihmuar në shpërndarjen e vaksinave sa më shpejt të jetë e mundur dhe në mënyrë të sigurt.

Njoftimi i së mërkurës vjen ndërsa kompania Moderna njoftoi se do t’u shesë deri në 110 milionë doza të vaksinës së saj vendeve anëtare të Bashkimit Afrikan. Ky kontinent po përballet me mungesë vaksinash./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!