Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi se SHBA-ja do të miratojë 215 milionë dollarë ndihmë ushqimore për krizën në Ukrainë dhe u bëri thirrje vendeve të tjera që të ndihmojnë me shpejtësi në krizën globale të ushqimit në rritje për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, shkruan CNN.
“Duke pasur parasysh urgjencën e krizës, ne po miratojmë 215 milionë dollarë të tjera ndihmë urgjente ushqimore dhe do të bëjmë shumë më tepër,” tha Blinken të mërkurën gjatë një takimi mbi sigurinë globale të ushqimit.
“Ne presim që Kongresi ynë shumë shpejt të miratojë rreth 5.5 miliardë dollarë fonde shtesë për ndihmën humanitare dhe sigurinë ushqimore”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara kanë miratuar më shumë se 2.3 miliardë dollarë fonde të reja për ndihmë urgjente ushqimore për të përmbushur nevojat globale humanitare që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Ai ka mohuar se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga SHBA dhe aleatët e saj kanë thelluar krizën ushqimore si pasojë e luftës.
/abcnews.al