Blinken: I bindur se do të ketë përparim në anëtarësimin e Suedisë në NATO

schedule15:23 - 6 Nëntor, 2023

schedule 15:23 - 6 Nëntor, 2023

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha më 6 nëntor se është i bindur që do të ketë përparim në anëtarësimin e Suedisë në NATO, pas bisedimeve që zhvilloi me homologun e tij turk në Ankara.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të hënën dërgoi në Parlament projektligjin për ratifikimin e pranimit të Suedisë në aleancën ushtarake të NATO-s, pasi për muaj të tërë kishte bllokuar këtë legjislacion, shkruan REL.

Legjislacioni duhet të miratohet nga Komiteti për punë të jashtme i Parlamentit, para se t’i dërgohet Asamblesë së Përgjithshme. Më pas, Erdogan duhet ta nënshkruajë atë për t’u shndërruar në ligj.

“Jam i bindur se do të shohim një lëvizje përpara për këtë çështje”, tha Blinken për gazetarët para se të largohej nga Ankaraja, përderisa u pyet nëse Turqia kishte dhënë ndonjë garanci për mbështetjen e pranimit të Suedisë në NATO.

Blinken tha se SHBA-ja ishte shumë e inkurajuar nga fakti që Erdogan ka dërguar në Parlament për ratifikim protokollin për pranim, duke shtuar se ky ishte një “përkushtim i përbashkët” i Ankarasë dhe Uashingtonit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!