Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, thotë se presidenti Joe Biden i ka dhënë leje Ukrainës t’i përdorë armët amerikane për të kryer sulme brenda Rusisë, por vetëm për qëllime të kufizuara për ta mbrojtur Harkivin.
Duke folur në Pragë të premten në një takim joformal të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, Blinken tha se Ukraina i kishte kërkuar Uashingtonit leje për t’i përdorur armët amerikane për sulme brenda Rusisë, pasi po përpiqet t’i mposhtë trupat ruse që e nisën pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
“Në javët e fundit, Ukraina erdhi dhe na pyeti për autorizim për përdorimin e armëve me të cilat ne po e furnizojmë atë për t’u mbrojtur kundër këtij agresioni, përfshirë kundër forcave ruse që po mblidhen në pjesën ruse të kufirit nga ku po e sulmojnë Ukrainën”, tha Blinken.
“Kjo iu kërkua presidentit, dhe siç keni dëgjuar, ai e ka miratuar përdorimin e armëve për atë qëllim”, shtoi ai.