Blinken akuzon Rusinë për goditje të furnizimit global ushqimor

schedule17:08 - 4 Gusht, 2023

schedule 17:08 - 4 Gusht, 2023

Gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bëri përgjegjëse Rusinë dhe ndikimin që ka patur agresioni i saj ndaj Ukrainës, tek uria globale. Rusia u tërhoq muajin e kaluar nga marrëveshja që i krijonte mundësi Ukrainës të eksportonte grurë drejt tregjeve globale, duke shkaktuar rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.

Rusia ka vënë në shënjestër portet dhe objektet e magazinimit, jetike për transportin e grurit nga Ukraina. Sulmet vijnë pasi Moska u tërhoq muajin e kaluar nga marrëveshja për grurin që e lejonte Kievin të eksportonte drithëra drejt tregjeve globale gjatë agresionit rus.

Të enjten, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken kryesoi një takim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i përqendruar tek pasiguria ushqimore…duke fajësuar Moskën për pamundësinë e Ukrainës që të eksportojë grurë.

“Çdo anëtar i këtij këshilli, çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet t’i thotë Moskës mjaft. Mjaft përdorët Detin e Zi si mjet shantazhi. Mjaft me shfrytëzimin e njerëzve më të rrezikuar në botë për të përfituar. Mjaft me këtë luftë të pajustifikuar dhe të paarsyeshme”, tha Sekretari Blinken në Këshillin e Sigurimit.

Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit, David Miliband i tha këshillit se ka konsensus se konflikti është shkaku kryesor i pasigurisë ushqimore sot, i përkeqësuar nga kriza klimatike.

“Këto vende dihen. Çdo vlerësim nxjerr të njëjtën listë: Somalia, Afganistani, Jemeni, Nigeria, Sudani i Jugut, Sudani, Burkina Faso, Mali, Haiti. Saktësia e vlerësimit nuk është vënë në dyshim, por shumë shpesh vlerësimi pasohet nga një krizë reale”.

Zoti Blinken vuri në dukje se pesë vjet më parë, Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë ku thuhej se veprimet e qëllimshme për të shkaktuar uri mes civilëve mund të përbëjnë krim lufte.

“Afro 90 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, tashmë kanë nënshkruar një komunikatë të re të përbashkët, që ne hartuam dhe qarkulluam, duke u angazhuar për t’i dhënë fund përdorimit të urisë dhe ushqimit si armë lufte. U bëj thirrje të gjitha shteteve anëtare t’i bashkohen kësaj komunikate”, tha kryediplomati amerikan.

Muajin e kaluar presidenti rus Vladimir Putin priti udhëheqësit e vendeve afrikane për një takim të nivelit të lartë, ndërsa kontinenti po përgatitej për pasojat e tërheqjes së Moskës nga marrëveshja e eksportit të grurit ukrainas.

Moska u përpoq të qetësonte partnerët e saj afrikanë, duke thënë se e kuptonte “shqetësimin” e tyre dhe ishte gati të eksportonte grurë falas në vendet afrikane që kanë nevojë.

Ekspertët e ndihmave thanë në takimin e Kombeve të Bashkuara se sasitë e nevojshme të ushqimeve për të gjithë ekzistojnë, por në shumë vende banorët nuk kanë ushqimet e nevojshme për të mbijetuar pasi furnizimet po bllokohen nga një konflikt i panevojshëm./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!