Kryetare e gjithë Himarës/ Për Blerina Balën votuan 15 këshilltarë, mes tyre dy të Berishës dhe Metës

schedule12:09 - 29 Mars, 2024

schedule 12:09 - 29 Mars, 2024

Këshilltarët bashkiakë të Himarës u futën në sallën e mbledhjeve paraditen e së premtes siç pritej. Por rendi i ditës nuk mundi të niste.

Mbështetës të Fredi Belerit dhe Rithemelimit shkaktuan kaos në sallën ku do të mbahej mbledhja

Acarimi i drejtohej prefektit të ri të qarkut, Vangjel Tavos, i cili ishte aty për të ndjekur mbledhjen e Këshillit bashkiak.

Mbështetës të Fredi Belerit dhe Sali Berishës që kishin ardhur në sallë si qytetarë të Himarës për të ndjekur mbledhjen e Këshillit Bashkiak, me britmat e tyre e bënë të pamundur votimin në kushte normale për njërin nga nënkryetarët që do të komandohej në detyrën e kreut të Bashkisë.

Në këtë situatë kryetari i këshillit bashkiak vendosi shtyrjen e mbledhjes me një orë dhe kërkoi boshatisjen e sallës. Ndërsa  këshilltarët dhe prefekti po dilnin jashtë saj, nga turma u hodh dhe pështyme greke ndaj Tavos.

Mbledhja rinisi në mesditë në një ambient tjetër, atë të bashkisë së qytetit, pa qytetarë në sallë. Menjëherë u vijua me votimin e Blerina Balës, ndërsa kolegu i saj Gjikuria u tërhoq për të lënë emrin e saj në votim.

Pavarësisht kaosit, ulërimave dhe xhesteve të pahijshme, në fund u votëbesua një kryetare për të gjithë Himarën.

Blerina Bala pati mbështetjen e 15 këshilltarëve, 2 nga të cilët të Berishës dhe Metës, koalicionit që kandidoi dhe mbështeti Fredi Belerin në zgjedhjet e 14 majit.