Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi tha për eliminimin nga Europa League se gabimet e takimit të parë rezultuan vendimtare si dhe goli i parë duhet të ishte shënuar më shpejt.
Zhgënjimi është i madh në radhët e Teutës të cilët nuk ia dolën të përmbysnin humbjen e ndeshjes së parë 3-0 ndaj Ventspils. Durrsaket luajten mire por fitorja 1-0 nuk mjaftoi për të vazhduar rrugëtimin në Europa League. Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi tha pas ndeshjes se skuadra u penalizua nga gabimet e takimit të parë.
“Mendoj që ky skualifikim erdhi nga ndeshja e parë, nga gabimet që bëmë aty. Për fat të keq ato tre gabime i pësuam gola, ndërsa sot kishim më shumë shanse. Nuk arritëm të shënojmë. Megjithatë na vjen keq për skualifikimin, por dua të falënderoj lojtarët sepse mendoj që bënë një lojë të mirë. Shpresoj që këto gabime të këtyre dy ndeshjeve të na shërbejnë për tu përmirësuar në kampionat”, tha ai.
Shkëmbi theksoi se skuadra duhet të kishte shënuar minimalisht një gol në pjesën e parë.
“1-0 në pjesë të parë do na shërbente të kishim më shumë energji sepse e dimë që pjesën e dytë do ishte e vështirë duke pasur parasysh se kundërshtari është duke luajtur në kampionat. Mendoj se patëm momente për të shënuar, por ndonjëherë edhe për fat dhe përqendrim nuk mund të marrësh atë që meriton. Blerjet e reja nuk mund të japin maksimumin e tyre, por mendoj që na ndihmuan shumë dhe do jenë pika të forta në kampionat”, tha Shkëmbi.
Trajneri i Ventspils Igor Klosovs u shfaq i lumtur pas humbjes ndaj Teutës pasi skuadra e tij siguroi kualifikimin në turin e dytë të Europa League.
“Jemi të lumtur sepse synimi jonë ishte kualifikimi dhe e arritëm. Ishte një ndeshje e vështirë pasi Teuta luajti mjaft mirë. E prisnim të vuanim dhe ashtu ndodhi. U frikësuam pak pas golit të Kallakut, por ia dolëm të administronim rezultatin. Jam i kënaqur nga paraqitja e skuadrës dhe tashmë do të mendojmë për kundërshtarin e radhës”.
Tashme skuadra e Teutës do të përgatitet për edicionin e ri të kategorisë superiore./ABC News Albania 24/7