Ish-presidenti i FIFA-s Sepp Blatter është rikthyer të flasë dhe këtë herë përsëri ka akuzuar presidentin aktual Gianni Infantino se po përpiqet të shkatërrojë reputacionin e tij, ndërsa këmbëngul se ndërgjegjen e ka të pastër.
Blatter aktualisht është në gjyq së bashku me ish-drejtuesin e UEFA-s, Michel Platini për akuzat për mashtrim, përvetësim dhe korrupsion.
Prokurorët kanë kërkuar një dënim prej 20 muajsh burg për dyshen, ndërsa vendimi pritet në fillim të korrikut.
“Dua të pastroj nderin tim. Kur mbërrita, nuk ishim asgjë. Dhe kur u largova, ne ishim një organizatë ndërkombëtare, solide në çdo aspekt si, ekonomik, shoqëror, kulturor, madje edhe politikisht. Nuk e di pse, por Infantino nuk më do mua.
Ai madje përpiqet të krijojë artificialisht një çështje kundër meje. Ai dëshiron të më rrëzojë mua, por edhe gjithçka që kam bërë, sepse ai mendon se po bën më mirë se unë. Më duhet të them se jam shumë i prekur nga kjo situatë.
Unë jam akuzuar për shumë gjëra, madje jam akuzuar edhe si hajdut. Është absurde. Nuk e di pse e gjej veten në gjykatë dhe jam i sigurt se mijëra, për të mos thënë miliona futbollistë apo pjesëtarë të botës së futbollit nuk e kuptojnë këtë. Unë nuk do të dorëzohem.
Kjo situatë më ka lënduar mua, por edhe familjarët e mi, të cilët janë jashtë kësaj çështje. Do të luftoj, jam në luftë dhe kjo është diçka që më ka pëlqyer gjithmonë. Unë nuk dorëzohem, nuk do të dorëzohem dhe do të shkoj deri në fund”, – tha Blatter.