Eksperti për çështjet e ekonomisë, Ferjolt Ozuni u shpreh se ndërmarrjet e vogla duhet të kenë më shumë mbështetje. Në një intervistë për “Sheshi i Dollarit”, eksperti theksoi se kjo kategori është ‘motori’ i ekonomisë shqiptare dhe zakonisht janë lënë në harresë nga politikat e zhvillimit ekonomik.
“Ne jemi një ekonomi shumë e vogël ku orientohemi në numra të vegjël. Biznesi familjar ka mbizotëruar gjithmonë dhe është specifike e ekonomive të vogla. Normalisht se ka edhe një biznes të madh që mbledh një numër të caktuar punonjësish por ajo që mban motorin e ekonomisë shqiptare në lëvizje statike dhe të përhershme është kjo lloj kategorie dhe mban në punë të paktën një person nga një familje. Janë këto ndërmarrje që anashkalohen shpesh kur bëhen strategjitë dhe politikat. Janë lënë në harresë pasi politikat e zhvillimit të ekonomisë bëhen kryesisht për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha. Janë këto ndërmarrje që furnizojnë rrjetin më të madh ushqimor“, theksoi eksperti.
I pyetur nga gazetarja Genta Dobra se çfarë masash duhen ndërmarrë për të mbështetur ndërmarjet e vogla dhe të mesme, eksperti përmendi politikat që ndjekin vendet e tjera. Ai thotë se nëse do të ketë rritje të rrogës minimale, këto biznese mund të mbështeten tek pjesa e taksave që duhet të paguajnë.
“Janë ndërmarrjet mikro që preken në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo korrekte nga rritja e rrogës minimale. Sepse ata vendosin rrogën minimale që pjesa tjetër të shkojë për familjen dhe të taksohet sa më pak. Ndërsa ndërmarrjet e vogla dhe më tej, nuk ecin me rrogë minimale dhe nuk është e llogaritur mbi bazën e pagës minimale dhe kur qeveria rrit pagën minimale, automatikisht goditja vjen tek ata që janë më vulnerabël dhe ata që mbajnë peshën financiare mbi kurrizin. Rritet rroga minimale dhe thotë për ndërmarrjet e vogla që nuk sigurojnë më shumë se 1 milionë lekë të reja në vit fitim, do t’i kompensohet 30 për qind e taksave që ka paguar për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.“, theksoi eksperti./abcnews.al