Bislimi tregon datat se kur do të takohet me palën serbe për çështjen e targave

schedule13:11 - 1 Prill, 2022

schedule 13:11 - 1 Prill, 2022

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se do të kenë edhe dy takime me palën serbe në Bruksel për të vendosur përfundimisht për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se të enjten e ardhshme do të takohet grupi punues i Kosovës dhe Serbisë që “do të mundohen” të finalizojnë marrëveshjen për targat, derisa u zotua për konstruktivitet nga pala kosovare. Ai njoftoi se takimi i dytë do të mbahet më 20 prill.

“Shpresojmë që do të jetë qasje konstruktive e dy palëve që do të çonte deri te një zgjidhje dhe takimi tjetër mbahet më 20 prill. Më 21 prill duhet të dalë raporti final nëse kemi zgjidhje ose jo. Pala jonë po negocion në mirëbesim me idenë që të arrijë një zgjidhje finale që avancon situatën e tanishme në një zgjidhje permanente dhe sipas standardeve të BE-së – dy kritere bazë që orientohet grupi jonë”.

Bislimi tha se në Bruksel palëve i janë dhënë alternativa të ndryshme, për të cilat tha se nuk është mirë të diskutohen sepse mund të ndikojnë keq në proces.

“Palët detyrohen që brenda këtyre alternativa të zgjedhin preferencën e tyre, por duke i pasë parasysh këto dy principe – të jetë permanente dhe në harmoni me standardet më të mira të BE-së. Kjo nënkupton që zgjidhja që duhet arritur nuk mundet me qenë vazhdim i situatës aktuale”.

Zëvendëskryeministri tha se ‘stickers’ nuk janë as zgjidhje e përhershme as nuk janë në kuadër të standardeve europiane, e që do të thotë se “në çfarëdo zgjidhje që të vijmë është avancim i situatës dhe është përmirësim i gjendjes ekzistuese”./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!