“Bisedimet, nuk e pranoj asociacionin”, Kurti nuk ndryshon qëndrim për dialogun me Serbinë

schedule17:27 - 6 Janar, 2025

schedule 17:27 - 6 Janar, 2025

Albin Kurti është i bindur që do i fitojë zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë sepse sipas tij, i ka mbajtur të gjitha premtimet.

Kryeministri i Kosovës pret që Vetëvendosje ta tejkalojë rezultatin e vitit 2021, edhe pse disa nga aleatët më të rëndësishëm i kanë vendosur sanksione dhe i kanë lënë porosi që nuk i ka zbatuar.

“Ne presim ta tejkalojmë rezultatin e vitit 2021 për shkak se para katër vitesh i kishim 438 mijë vota dhe besoj që është reale që të presim që të kemi rritje, prandaj e kemi vendosur këtë synim prej gjysmë milioni vota në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Jemi shumë të lumtur që kemi pasur stabilitet institucional, jemi qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund dhe uroj që ky të jetë një fillim i mbarë i stabilitetit institucional në Republikën e Kosovës, për dallim prej qeverive të mëhershme në Kosovën e pavarur që nuk e përfundonin mandatin. Kemi nevojë për qeveri të cilat për zotimet e tyre i kanë katër vjet mandat të plotë”, tha Kurti.

Kurti është aq i bindur që do të fitojë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, sa nuk e sheh aspak mundësinë për të formuar koalicione paszgjedhore.

“Ne nuk shohim mundësi që të kemi koalicione paszgjedhore prandaj edhe i kemi bërë ato parazgjedhore, së pari me partinë Guxo dhe gjithashtu me partinë Alternativa, me të cilët kemi bashkëqeverisur në këto katër vjet dhe i kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri-tjetri”, shtoi kryeministri i Kosovës.

Edhe pse Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë të qartë se pa formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, rruga e integrimit është e bllokuar, Kurti nuk e sheh këtë si problem.

“Nuk besoj që në qendër të raporteve Kosovë-Serbi është, apo duhet të jetë, Asociacioni. Në qendër duhet të jetë njohja reciproke. Nuk mund të flasim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duke braktisur marrëveshjen bazike dhe njohjen reciproke. Pra, në qendër të marrëveshjes bazike është së paku njohja reciproke de facto”, shprehet ai.

Kosova mban zgjedhjet parlamentare në 9 shkurt dhe teksa është i bindur se do të fitojë, Kurti i ka bërë bisht drejtësisë. Ai nuk është paraqitur në disa raste në Prokurorinë Speciale, ku është thirrur si dëshmitar për çështjen e rezervave shtetërore./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!