Bisedimet mbi programin bërthamor, intensifikojnë luftën e brendshme për pushtet në Iran

schedule12:30 - 16 Prill, 2021

schedule 12:30 - 16 Prill, 2021

Nga Najmeh Bozorgmehr, Financial Times

Ajatollah Ali Khamenei e mbante veshur shaminë‘keffiyeh’ në raste shumë të veçanta, kryesisht të natyrës ushtarake, si për shembull gjatë vizitave në frontet e luftës me Irakun në vitet 1980, apo në paradat e ushtrisë.

Por që nga viti 2000, lideri suprem i Iranit, autoriteti më i lartë në vend prej më shumë se 30 vjetësh, është parë rrallë në publik pa këtë shall. Përdorimi i shpeshtë i simbolit të nacionalizmit palestinez – chaffiyeh në persisht -erdhi, thotë një njeri pranë tij, nga fitorja surprizë në vitin 1997 e presidentit reformist Mohammad Khatami, që e mori pushtetin duke premtuar një ndryshim të madh politik në vend, dhe duke u afruar me Perëndimin.

Më pas,në mendjet iraniane shamia u bë një simbol i rezistencës ndaj armiqve të jashtëm, dhe i një mbrojtje të vendosur të ideologjisë islamike brenda dhe jashtë vendit duke mbuluar gjithçka, nga programi i saj bërthamor te politikat rajonale dhe ushtarake dhe marrëdhëniet me Perëndimin.

Dhe duke pasur parasysh sakrificat që i është dashur të përballojë Teherani gjatë 3 viteve të fundit, Ajatollah Khamenei mund t’i falet edhe nëse del me 2 shami të tilla në kokë. Vendi është përballur me sanksionet më të forta në historinë e tij, të cilat i kanë kushtuar ekonomisë vendase të paktën 200 miliardë dollarë sipas zyrtarëve, dhe duke i dëmtuar iranianët e zakonshëm.

Por regjimi – të paktën elementët e tij më fanatikë-janë duke i mbijetuar politikës së“presionit maksimal” të vendosur në kohën e administratës së Donald Trump pa sjellë shembjen e sistemit, dhe duke shpërfillur miliona protestues që u derdhën rrugëve në demostrata të mëdha.

Në vitin 2018 Trump e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore – Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit – nënshkruar me fuqitë botërore 3 vjet më parë për të frenuar ambiciet bërthamore të Teheranit. Pavarësisht pajtueshmërisë së Iranit me paktin, Uashingtoni e akuzoi atë për shkelje të “frymës” së marrëveshjes, përmes politikave të tij rajonale dhe ushtarake.

Ai vendosi sanksione të forta, që e nxitën Iranin të dyshonte se SHBA donte ndryshimin e regjimit në Teheran. Pastaj pati një seri sulmesh ushtarake, me Iranin që rrëzoi një dron amerikan,me pretendimin se ai kaloi hapësirën e tij ajrore.

Gjithashtu, Irani ndërmori vitin e kaluar një sulm me raketa kundër një baze ushtarake amerikane në Irak, si një hakmarrje për vrasjen nga ana e SHBA-së të Qassem Soleimani, një komandant i lartë i Gardës Revolucionare Iraniane.

“Ai do të vazhdojë ta mbajë atë shami, për sa kohë që mendon se republika islamike po kërcënohet nga reformat rrënjësore, dhe për të treguar se nuk do të bëjë asnjë kompromis mbi parimet. Dhe ai nuk do ta lejojë SHBA-në, Izraelin, dhe reformistët që ta sprapsin Iranin në rajon, të minojnë programin e tij të raketave balistike, apo të vënë në dyshim autoritetin e tij absolut”- thotë një njeri shumë pranë Ajatollah Khameneit.

Javën që shkoi Irani iu bashkua bisedimeve në Vjenë me nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes bërthamore -si Bashkimi Evropian, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina – mbi të ardhmen e marrëveshjes. Teherani refuzoi mundësinë për të dialoguar drejtpërdrejt me SHBA-në.

Gjithsesi, shanset për ndonjë përparim të qëndrueshëm në bisedime duken të vogla. Një sulm kibernetik ndaj kompleksit bërthamor të Iranit në Natanz të dielën e kaluar, dhe njoftimi i Teheranit këtë javë se po planifikon të shtojë sasinë e uraniumit të pasuruar, kanë rritur dyshimet tek të dyja palët.

Edhe para këtij sulmi mesazhi i Teheranit ishte mjaft i qartë:nuk ka vend për një kompromis të madh me shtetet perëndimore apo forcat pro-reformatore në vend. Regjimi ka frikë se çdo ndryshim në qasje mund të interpretohet si një shenjë dobësie që rrezikon mbijetesën e republikës islamike, dhe besnikërinë e milicive të mbështetura prej saj në Liban, Irak, Siri, Jemen dhe Palestinë.

Hyrja e Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë i ka ndërlikuar disi gjërat. Presidenti amerikan dhe shtetet evropiane duan që të ripërtërijnë marrëveshjen bërthamore, ashtu si Teherani do heqjen e sanksioneve. Por SHBA-ja dëshiron që t’i bashkëngjisë kushte çdo marrëveshjeje përfundimtare:frenim të programit të raketave balistike, dhe politikave ekspansioniste rajonale të Iranit.

“Pas suksesit tonë në neutralizimin e sanksioneve të SHBA-së, pozicioni politik i Iranit është shumë më i fortë se më parë. Shtetet e Bashkuara nuk janë më në gjendje të vendosin kushte ndaj nesh”- thekson njeriu pranë Ajatollahut.

Mundësia e kontakteve të drejtpërdrejta me SHBA-në rreth marrëveshjes bërthamore, e ka intensifikuar luftën për pushtet në Teheran, duke e ndërlikuar më tej skenën politike të Iranit përpara zgjedhjeve presidenciale të 18 qershorit, për të cilat reformistët druhen se do të dominohen nga përfaqësuesit e vijës së ashpër, dhe mund të shoqërohen me pjesëmarrjen më të ulët në historinë e kohëve të fundit.

Dhe një rezultat i tillë mund ta kufizojë hapësirën për negociata mbi marrëveshjen bërthamore pas zgjedhjeve. Zgjedhjet vijnë në një kohë që fraksione të ndryshme -fanatikë, reformistë, Garda Revolucionare, gjyqësori –që të gjitha përplasen me njëri-tjetrin për të ndikuar në çdo betejë pasaardhëse që do të pasonte vdekjen e udhëheqësit suprem 81-vjeçar.

Ajatollah Khamenei e ka bërë të qartë rrugën që duhet ndjekur për të ringjallur marrëveshjen bërthamore. Ai ka thënë se Irani do të respektojë plotësisht traktatin vetëm nëse administrata Biden do të hedhë hapin e parë duke hequr të gjitha sanksionet.

Edhe Uashingtoni thotë se e dëshiron këtë marrëveshje. Por Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, i ka premtuar gjithashtu Kongresit se do të kërkojë të kufizojë programin raketor të Iranit dhe mbështetjen e tij ndaj milicive në rajon, si pjesë e çdo lloj marrëveshjeje të re.

Mohammad Javad Zarif ministri i Jashtëm iranian që negocioi marrëveshjen bërthamore, mund të jetë shpresa më e mirë për reformistët, nëse ai do të garojë në zgjedhjet e 18 qershorit. Por në fillim ai do të duhej të kalonte nëpër filtrin e institucioneve të fuqishme që shpesh skualifikojnë kandidatët nga gara shumë kohë përpara ditës së zgjedhjeve.

Fanatikët e regjimit kanë frikë nga një kombinim i një qeverie pro-reformatore në Teheran dhe një administrate e demokratëve në Uashington -ashtu siç ishte në vitet e fundit të presidencës së Barack Obama-pasi besojnë se kjo mund t`i hapte rrugën një ndërhyrjeje të ardhshme ushtarake të SHBA-së në Iran.

“SHBA-së iu dha një herë një shans, që nuk do të përsëritet më. Ishte fati ynë që Trump u zgjodh president, përndryshe reformistët do të dominonin tani në qeverisje”-thotë një nga përfaqësuesit e linjës së ashpër. Nga ana tjetër, kampi reformist druhet se një qeveri e vijës së ashpër në Teheran do të ushqejë në Uashington qasje më të ashpra,  gjë që potencialisht mund të nënkuptojë një presion më të madh ekonomik mbi Iranin.

Gardat Revolucionare – përgjegjësja ligjore për të “mbrojtur” sistemin Islamik dhe “arritjet e tij” – do të ketë sërish një zë të fortë përpara këtyre zgjedhjeve, dhe mbi çdo raund të ardhshëm të bisedimeve me SHBA-në.

Ajo është bërë institucioni më i organizuar dhe më i fuqishëm nën republikën islamike, për shkak të një perandorie financiare që shtrihet në të gjitha aspektet e ekonomisë, dhe një shërbimi të frikshëm të inteligjencës, që i bën disa të spekulojnë se pushtetin mund ta marrë një qeveri ushtarake. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime