Binjaket vaksinohen në Shkodër: Në Tiranë ka shumë radhë

schedule15:19 - 20 Korrik, 2021

schedule 15:19 - 20 Korrik, 2021

Nga Simon Shkreli

Dy motrat binjake Emilia dhe Enia Matishi studente në Tiranë janë kthyer në Shkodër për tu vaksinuar. Janë ditët e hapura për tu vaksinuar dhe Emilia tregon se zgjodhën qytetin e lindjes pasi këtu nuk ka shumë radhë. Ato u vaksinuan me Astrazeneca.

“Në Tiranë është piku i Covid dhe ka nisur dhe Delta. Erdhëm në Shkodër të bëjmë vaksinën. Zgjodhëm Astrazeneca, na rekomanduan familjarët që është cilësore.”

Në qendrat e vaksinimit në Shkodër në ditën e dytë të vaksinimit kishte pak persona mbi 18 vjeç që vaksinoheshin.

Grupmoshat që janë vaksinuar dje dhe sot janë nga mosha 18 deri 40 vjeç. Ditën e sotme nuk ka numër të madh të personave që janë vaksinuar ndërsa dje ka pasur më shumë. Dje ishin rreth 70 sot 20 në të gjitha qendrat shëndetësore.

Edhe vete personeli mjekësor pohon këtë fakt. Sot prej festës ka më pak fluks. “Të gjitha qendrat janë të hapura dhe sot ju bëjmë thirrje të vijnë të rinjtë por dhe ata që kanë për të bërë dozën e dytë, ” thotë kryevaksinuesi Arben Xhabija.

Në Shkodër banorët aktualisht po vaksinohen me të treja vaksinat me kinezen Coronavac dhe Astrazeneca të gjithë grupmoshat, ndërsa me Pfizer vaksinohen të sëmurët kronikë. /abcnews.al