Bindja Demokratike kërkon të dorëhiqet kandidati i PS në Shijak

schedule17:15 - 6 Qershor, 2019

schedule 17:15 - 6 Qershor, 2019

Pas publikimit të përgjimeve të gazetës “Bild”, Partia Bindja Demokratike kërkon dorëheqjen e kandidatit për kryetar të Bashkisë Shijak. Elton Arbana është një ndër emrat e përfshirë në përgjimet e dosjes 339/1.

Bashkohet në një pikë Bindja Demokratike me opozitën jashtë parlamentit. I drejtojnë mazhorancës kërkesë për dorëheqje. Por ndahen në adresimin e emrit që duhet hedhë hapin pas.

Partia më e re opozita nuk është për largimin e kryeministrit por vetëm të kandidatit për bashkinë e Shijakut.

“BINDJA DEMOKRATIKE kërkon tërheqjen e menjëhershme nga gara të kandidatit të Partisë Socialiste në Bashkinë e Shijakut, që do të ishte prova minimale për të treguar vullnetin e maxhorancës për realizimin e zgjedhjeve brenda standardeve më 30 Qershor”.

Arsyetimin e kërkesës e bazuan në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane Bild sipas të cilave bindjes demokratike I rezulton se Partia Socialiste ka kandiduar për kryetar të Bashkisë së Shijakut në zgjedhjet e 30 Qershorit, Elton Arbanën, një prej protagonistëve kryesorë të këtyre përgjimeve.

“Që do të thotë se njeriu, që deri dje vidhte vota për kandidatët e tjerë të Rilindjes, sot na ofrohet personalisht nga Maxhoranca si kandidat për Kryetar Bashkie”.

Nga ana tjetër Bindja Demokratike kërkon edhe sqarimin sa më të shpejtë nga organet kompetente të pozicionit dhe mundësisë së implikimit në këtë skandal edhe të kandidates së Partisë Socialiste në Durrës, Valbona Sako, duke pasur si qëllim moslejimin e përfshirjes në garën e 30 Qershorit të personave me përgjegjësi të drejtpërdrejtë në kryerjen e krimeve zgjedhore, siç e parashikon edhe ligji i dekriminalizimit. /ABc news Albania 24/7