“Air Albania Stadium”, ora 19:00. Jo vetëm kryeqyteti, por gjithë Shqipëria i ka sytë te derbi Tirana-Partizani. Prej tre ditësh tifozët kanë vërshuar në biletari për t’u pajisur me bileta dhe deri mbrëmjen e djeshme janë shitur rreth 17500 bileta.
Duke ditur që rreth 1 mijë vende janë bllokuar për të krijuar hapësirën e sigurisë mes tifozerive, në shitje kanë mbetur një numër i vogël biletash, rreth 4 mijë. Besohet se deri para ndeshjes do jenë shitur të gjitha dhe “Air Albania Stadium” do të jetë plot.
Ky është derbi i dytë që luhet në këtë stadium. Në të parin, ku pritës ishte Partizani, u shiten rreth 19 mijë bileta. Këtë herë pritshmëritë janë që të ketë edhe më shumë tifozë, për shumë arsye.
Tirana është pritëse dhe renditet në vendin e parë në klasifikim, gjë që vitet e fundit rrallë ka ndodhur. Në kampin bardheblu po ëndërrojnë rikthimin te titulli kampion, në një sezon që është i veçantë, për shkak se Tirana feston 100 vjetorin e krijimit. /abcnews.al