Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna deklaroi se industria e drurit, plastikës dhe tekstilit janë ndër sektorët më të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, duke kërkuar analiza dhe studime nga institucionet për të identifikuar fushat ku vendi është më konkurrues.
Ai theksoi se importi ka kaluar mbi 7 miliardë euro, ndërsa bilanci tregtar ka arritur nivelin më të thellë në historinë e Kosovës. Rafuna shtoi se Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian nuk synon vetëm integrimin në tregun evropian, por edhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve përmes reformave dhe arritjes së standardeve të BE-së, duke e cilësuar atë si një nga projektet më të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor.
“ Nëse shohim strukturën e mallrave, industria e drurit, plastikës dhe tekstilit janë me rëndësi në Kosovë. Na nevojitet një analizë dhe studim nga ana e institucioneve se në cilin sektor Kosova është më konkurruese. Dhe këta sektorë duhen mbështetur; importi ka kaluar mbi 7 miliardë dhe bilanci tregtar është 3.2 për qind më i thelli në historinë e Kosovës. Palët duhet të punojnë së bashku dhe të ndihmojnë procesin. Plani i Rritjes nuk ka qëllim vetëm të integrohemi në tregun e BE-së, por do të ndikojë edhe në cilësinë e jetës së qytetarëve, sepse do t’i shtyjë institucionet të kryejnë reformat dhe të arrijnë standardet e BE-së, dhe ne do të jemi më të përgatitur të ecim drejt BE-së.
Plani i Rritjes është projekti i dytë më i mirë për Ballkanin dhe ka hapa konkretë që, nëse kryhen detyrat, mjetet do të vijnë.”


