Ekonomia shqiptare ka shfaqur stabilitet në treguesit makroekonomikë vitet e fundit, por kjo rritje nuk është reflektuar në përmirësimin e mirëqenies së familjeve.
Kështu u shprehën ekspertët e ekonomisë të ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC Neës, të cilët theksuan se, pavarësisht të dhënave pozitive në nivel kombëtar, shpërndarja e rritjes ekonomike mbetet problematike dhe ndikimi në të ardhurat e qytetarëve ka qenë i kufizuar, duke e bërë vitin 2025 një periudhë ende të vështirë për ekonominë familjare.
Teuta Nunaj: Në nivelin makro ka qenë një ekonomi e qëndrueshme dhe në nivelin familja ka qenë një ekonomi që nuk ka përcjellë mirëqenie për familjarët.
Enio Civici: Nga pikëpamja makro ekonomike Shqipëria më në fund ka arritur që të 3-4 vitet e fundit një lloj stabiliteti sa u takon të dhënave të mëdha, atyre që duhen për të parashikuar politika publike. Ndërsa në aspektin e ekonomisë që ndjejnë njerëzit mendoj po ashtu që ka qenë një vit i vështirë për transmetimin e kësaj rritjeje ekonomike në rritje të të ardhurave apo të portofolit të familjeve shqiptare. Nuk mendoj se vitit 2025 është karakterizuar nga një vit ku familjet shqiptare janë ndjerë më mirë financiarisht.
Ergis Sefa: Nuk është çështja vetëm te rritja ekonomike, është rritje për kë? Si shpërndahet kjo rritje ekonomike? Mund të kesh një rritje ekonomike të madhe dhe shpërndahet në pak duar, ndërkohë që mund të kesh një rritje ekonomike më të vogël dhe shpërndahet ashtu siç duhet. Kjo është e gjithë diferenca. Siç thanë edhe kolegët në nivelin tonë të mirëqenies, duhet që nivelin makroekonomik ta zbresim tek individi dhe tek qytetarët./abcnews.al

