Bienalja e 59-të e artit në Venecia dominohet nga fuqia e gruas

schedule21:12 - 2 Maj, 2022

schedule 21:12 - 2 Maj, 2022

Nga Leontina Nika

Bienalja e artit në Venecia  është  skena më e veçantë e artit pamor dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme për qytetin turistik. Në çdo cep të tij  gjen shenja që të ftojnë për të vizituar bienalen. Këtë vit ky event u  dominua nga fuqia e gruas. Titulli i bienales së këtij viti “Qumështi i ëndrrave” u huazua nga autorja angleze, Leonora Carrington.

https://youtu.be/93jgLN8mJaE

Shqipëria kësaj here u përfaqësua denjësisht me artisten rebele Lumturi Blloshmi. Pavioni shqiptar u kurua nga Adela Demetja, e cila me konceptin e saj shfaq  dimensionin e artistes në 3 D, ashtu siç është edhe vepra e saj.

Kosova u prezantua me Jakup Ferrin.

Bienalja u shoqërua me shumë risi, ekspozita kryesore  ku morën pjesë 213 artistë nga 58 vende për herë të parë u kurua nga artistja Cecilia Alemani,  duke shënuar gruan e parë italiane që kuron bienalen.

Një tjetër risi shënuan edhe çmimet ku dominuan gratë me ngjyrë.

Çmimi i dytë , shkoi për konceptin  “Ëndrrat nuk kanë titull”, i artistes algjeriane Zineb Sedira e cila përfaqësoi Francën.  Në 3 dhoma ajo sjell emigrimin, të cilin e pasqyron përmes filmave të hershëm, ku theksohet kontributi i artistëve algjerian në Francë

Artistja amerikane me ngjyre Simone Leigh u nderua me luanin e artë në ekspozitën e kuruar nga  Cecilia Alemani.

Ndërkohë që pavioni  i Ugandës u vlerësua për përmendje të veçantë.

Lufta në Ukrainë nuk mund të rrinte pa prekur edhe bienalen. Pavijoni i Ukrainës u përfaqësua nga  Pavlo Makov. Instalacioni i tij është një shenjë e rraskapitjes së shoqërisë.

Pavioni i Rusisë i kishte dyert e mbyllura, por  në ekspozitën e kuruar  mori pjesë artistja bashkëkohore ruse Zhenya Mahneva.

Në dy pikat ku  janë të përqendruar 79 pavionet në Gardini dhe, mbi muret historike të Arsenales, si edhe në godina historike përgjatë qytetit  të Venecias turistë nga e gjithë bota do mund të shijojnë artin pamorë dhe tendencat e tij  botërore deri në muajin nëntor.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!