E vetmja pikë që vazhdon të ndajë palët nga një marrëveshje për Reformën Zgjedhore tashmë duket se është depolitizimi i administratës zgjedhore.
Ndërsa kushti i opozitës për qeveri kujdestare çdo vit zgjedhor derisa Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian nuk është më në tryezë. Palët gjithashtu kanë arritur marrëveshje për identifikimin biometrik në të gjithë vendin.
Ky ka qenë përfundimi i 9 orë diskutimeve të bëra ditën e sotme në rezidencën e ambasadës amerikane nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve.
E ftuar në emisionin Opinion, bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore ka deklaruar se palët kanë qëndrime të kundërta për administratën zgjedhore, ndërsa shtoi se nesër do të mblidhet sërish atje në orën 11:00 të paradites së nesërme.
LEXO EDHE: Yuri Kim: Ka përparim, do takohemi nesër. Nuk ka kushte të reja pa përmbushur rekomandimet
“Diku nga ora 12:00 në mesditë kemi hyrë në rezidencë. Yuri Kim ka qëndruar aty deri në momentin e fundit. Jemi në mes të një negociate dhe kam dashur të jem transparent.
Administrata zgjedhore ishte problem kyç, PD kërkon depolitizim të pjesshëm ndërsa mazhoranca është për të plotë. Sa i përket teknologjisë ata e morën këtë të drejtë. Për sistemin unë insistova. Nesër ne do të takohemi sërish.
Qeveria kujdestare ka rënë. Identifikimi biometrik do të bëhet në të gjithë vendin. Kanë rënë dakord. Ambasada e ka organizuar të gjithë bisedën, pasi ata nuk tolerojnë të bëhen deklarata politike. Jam munduar që në çdo pikë të gjej konsesus”, tha Hajdari./abcnews.al