Nga Erblina Mile
Muaji tetor ka qenë kryesisht i thatë ndërsa reshjet e rëna në 10 ditët e para nuk kanë dhënë efekt në kaskadën e Drinit. Aktualisht niveli i ujit rezulton 269,5 metra i cili është nën mesataren për këtë periudhë.
Ndërkohë për të plotësuar nevojat e vendit me energji elektrike Korporata Elektro-energjitike Shqiptare ka blerë rreth 7 milionë lekë energji elektrike vetëm për një javë. Niveli i çmimeve të energjisë në bursë mbetet favorizues për këtë periudhë dhe KESH ka importuar energji me një çmim mesatar prej 205.81 euro.
Sipas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike që prej 1 nëntorit do të nisë aplikimi I fashës prej 800 kwh. Në këtë mënyrë duke nisur që nga java e ardhshme qytetarët që do të shpenzojnë më shumë energji do ta paguajnë atë 4 fish më shtrenjtë se aktualisht.
Edhe pse qeveria ende nuk ka marrë një vendim nëse do e nisë aplikimin apo do të ketë një shtyrje ,për shkak të mungesës së reshjeve me shumë gjasa një masë e tillë do të aplikohet.
Gjatë së martës në komisionin e veprimtarive ishte thirrur kreu i ERE për të diskutuar në lidhje me krizën energjitike dhe masat që duhen të merren por mbledhja u shty pasi nuk u bë kuorumi nga deputetët. /abcnews.al/