Janë dy “Mbretëresha”, por po sillen sikur nuk dinë ç’është suksesi!
Milan e Juventus po rrezikojnë seriozisht vendin në Champions sezonin e ardhëm, me gabime pas gabimesh dhe ja ku erdhi një tjetër hap fals.
Tifozët padyshim që janë pikëlluar e thuajse po mbajnë zi, e jo vetëm për vdekjen e legjendës Aleks Zanardi.
Shtatë herë kampionët e Europës u mundën 2-0 në fushën e Sasuolos, një rezultat që edhe mund të ndodhte, por që nuk pritej duke pasur parasysh diferencën në potencial të dy skuadrave.
Domeniko Berardi shënoi shpejt për vendasit që në 5’, ndërsa Arman Loriente dyfishoi shifrat me të nisur pjesa e dytë.
Milani I trajnerit Alegri dhe I drejtorit sportiv Igli Tare ka vetëm dy fitore dhe plot 4 humbje në 7 ndeshjet e fundit në Serinë A.
“Juve, kështu flak tej Championsin, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Vlahovic e shpëton nga figura e shëmtuar ndaj Veronës! Menja nuk e dërgon skuadrën tek tribuna! Tension I Milanit me tifozët pas ndeshjes!”
Edhe “Zonja e Vjetër” nuk I ka mirë punët.
Juventus u ndal në Torino në barazim 1-1 me Veronën, e madje rrezikoi të humbiste, edhe pse luajti më mirë.
Epërsia ishte e madhe me 74 për qind mbajtje topi dhe 23 gjuajtje gjithsej, por avantazhin e gjetën miqtë kur Boui realizoi në 34’.
U desh goditja e dënimit e sulmuesit të Serbisë, Dushan Vlahoviç, për të sjellë barazpeshën, por jo fitoren.
Edon Zhegrova, ylli I Kosovës, goditi shtyllën në fund, veçse fati nuk ishte me ekipin e trajnerit Luçiano Spaleti, që fitoi çmimin si trajneri më I mirë I muajit prill për Serinë A.
Pas 35 ndeshjeve, Milani mban vendin e tretë në Itali me 67 pikë ndaj 65 të Juves, por Roma mund të afrohet.


